Interpoli kërkon informacion për 9 kriminelë shqiptarë
Policia ndërkombëtare kërkon informacion për 9 persona të rrezikshëm nga Shqipëria dhe Kosova, të cilëve ju dihen vetëm gjeneralitetet. Dy vendet i kanë dhënë aprovimin operacionit ndërkombëtar të shpallur nga Interpoli “Infra-Red”, ku janë shpallur në kërkim 450 persona të rrezikshëm nga i gjithë globi. Interpol ka njoftuar se deri tani janë kapur dhe arrestuar 100 persona. Në listën e të kërkuarve, përveç shqiptarëve gjenden edhe shumë serbë, të cilët dyshohet të jenë fshehur në vendin e origjinës.
PublikimiInterpol ka apeluar dje te përdoruesit e internetit, duke kërkuar ndihmë për kapjen e qindra të kërkuarve për vrasje, përdhunim, pedofili dhe shumë vepra të tjera penale. Operacioni i Interpolit për kapjen e këtyre personave është koduar me emrin “Infra të kuqe” (“Infra-Red”) dhe ka filluar më 3 maj të këtij viti. Sipas të dhënave nga Interpol, në këtë operacion janë përfshirë 29 vende dhe lista e të kërkuarve përmban plot 450 emra, persona këta që akuzohen për vepra të rënda penale. Kur kanë kaluar vetëm dy muaj nga fillimi i këtij operacioni, policitë e vendeve pjesëmarrëse kanë vënë në pranga 100 persona.
Në këtë aksion të policisë ndërkombëtare të shpallur nga Interpoli është përfshirë edhe Shqipëria. Sipas Interpolit, në listën e të kërkuarve figurojnë edhe emrat e 9 shqiptarëve, 3 nga Shqipëria dhe 6 nga Kosova. Për tre të kërkuarit shqiptarë janë publikuar gjeneralitetet e tyre, por nuk disponohet ndonjë foto e tyre, apo shenja të gishtërinjve. Po ashtu në listë janë edhe emrat e shumë serbëve si: Nikola Bulatoviç, Bogdan Popoviç, Predrag Jovanoviç, Bozhidar Samardiziç etj.
Ndër ta ka edhe nga ata që janë më të kërkuarit, siç është edhe kolumbiania Engi Saklamente Valencia, e cila është kapur në Argjentinë dhe akuzohet për trafikim droge; Muamba Munanga nga Kongo, të cilin e kërkojnë Franca dhe Bahrein, për shkak të falsifikimit të parave, që është kapur më 16 qershor në Afrikë të Jugut.
KërkesaNga 29 vendet pjesëmarrëse në aksionin e Interpolit, “Infra-Red”, përveç Shqipërisë marrin pjesë dhe vende si: SHBA, Zvicra, Britania e Madhe, Australia, Austria, Finlanda, Gjermania, Belgjika, Irlanda, Holanda, Brazili, Kanadaja, Republika çeke, Danimarka, Estonia, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Omani, Polonia, Lituania, Rumania, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Bjellorusia dhe Ukraina.
“Gjatë operacionit kemi arritur të gjejmë dhe arrestojmë një numër të madh të personave në kërkim, por nuk kemi informata se ku gjenden të tjerët, ndaj kemi nevojë edhe për ndihmën e njerëzve”, tha Martin Koks, ndihmësdrejtor i Interpolit për kapjen e personave të kërkuar. Interpol ka publikuar fotografitë e 26 personave dhe u ka kërkuar ndihmë përdoruesve të internetit, sidomos atyre që përdorin rrjetet sociale si “Facebook” dhe “Twitter”.
Sipas Koks, shanset më të mëdha janë që këta persona të njihen nëpërmjet rrjeteve sociale dhe forumeve, sesa kur i sheh në rrugë. Ndaj dhe Interpoli lut të gjithë ata që kanë ndonjë informatë, t’ua vënë në dispozicion, pasi askush nuk do të identifikojë burimin e informacionit apo të hulumtojë se si u arrit të shkohet deri tek e dhëna.
#