E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kam bërë vrasje edhe për llogarinë time”

12/03/2010 Dëshmia e plotë e Adriatik Colit. Avokatët fillojnë të zbërthejnë të penduarin e Durrësit.

Avokati Detar Hysi ka hedhur dje aludimet se Coli ishte penduar që kur ishte në Kosovë

TIRANË- “Kam bërë vrasje jo vetëm për llogari të bandës dhe Lulëzim Berishës, por edhe për timen. Jam menduar disa herë për pendesën dhe vendosa të pranojë ftesën e Prokurorisë kur u futa në qelitë e burgut”. Këto janë disa nga deklaratat e bëra në seancë nga i penduari Adriatik Coli, pas pyetjeve që i bënë avokatët mbrojtës. Procesi gjyqësor kundër të pandehurve të Bandës së Durrësit vazhdon të zhvillohet me dyer të mbyllura. Dje seanca filloi në orën 9.00 të mëngjesit për të vazhduar deri në orët e vona të drekës. Adriatik Coli ka qenë në qendër të pyetjeve që kanë bërë avokatët. Ndërkohë që një pjesë të madhe të debateve janë bërë mes avokatit Detar Hysi dhe të penduarit Adriatik Coli e prokurorëve. Burime nga brenda sallës bënë të ditur se i penduari nuk ka bërë krime vetëm për llogari të bandës, por edhe për llogari të tijat. Pasi është pyetur nga Hysi, nëse ka qenë gjithmonë besnik i bandës dhe ka kryer vrasje për llogari të saj, Coli është përgjigjur se një vrasje e ka kryer për llogari të tijën dhe jo për bandën. Burime të sigurta shpjeguan se shkak janë bërë pyetjet e avokatit Detar Hysi, i cili me sa duket ka ngulmuar duke pyetur të penduarin Adriatik Coli se kur kishte nisur pendesa e tij, para apo pasi është kthyer në Shqipëri. Me anë të pyetjeve të tij ka hedhur aludimet se mos penduari kishte nisur tratativat e tij me Prokurorinë për të nënshkruar marrëveshjen e pendesës që kur ishte i fshehur në Kosovë. Mirëpo këto pyetje kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të prokurorëve të çështjes. Sipas tyre, këto pyetje po cenonin marrëveshjen me të penduarin, dhe se avokati duhet të formulonte ndryshe pyetjet, duke mos ndërhyrë në marrëveshjen mes tyre dhe të penduarit. Pavarësisht kërkesës së akuzës, avokati Hysi nuk ka hequr dorë derisa ka marrë përgjigjen e Colit. Të njëjtat burime sqaruan se pas këmbënguljes së avokatit i penduari është përgjigjur se ka nisur të pendohet pasi ka ardhur në Shqipëri. “Kur kam qenë në qelitë shqiptare, prokurorët më kanë propozuar marrëveshjen dhe më kanë vënë në dijeni për lehtësirat që do të kisha nëse pranoja. Vendosa ta firmos dhe të respektoj kushtet që më vendosi Prokuroria”. Kështu mësohet të jetë përgjigjur i penduari Adriatik Coli. Më tej avokati Hysi e ka pyetur nëse kishte kryer ndonjë krim për llogari të tijën, apo për interesa të anëtarëve të bandës. Coli ka pranuar se një vrasje e ka kryer për interesat e tij dhe jo të bandës. Për shkak të pyetjeve të avokatit Hysi, prokurorët kanë kërkuar ndërprerjen e seancës për t’i dhënë kohë avokatit në fjalë që të riformulojë pyetjet për të penduarin. Kështu edhe në seancën e ardhshme, seanca pritet të vijojë me pyetjet që do të bëjë avokati Hysi ndaj të penduarit Adriatik Colit. Por akuza është e mendimit që këto pyetje duhet të formulohen mirë me qëllim që të mos shkelet ligji. Coli ka folur gjatë për veprimtarinë e tij brenda grupit të drejtuar nga Lulzim Berisha. Ai deri tani nuk ka lëvizur nga deklaratat që ka firmosur për akuzën duke pranuar pendimin dhe lehtësirat që ai sjell.

Berisha ende në proces gjykimi

Historia e Bandës së Durrësit kulmi e rënia e perandorisë

Ndërsa është duke luftuar për të çliruar pronat nga konfiskimi i tyre, Lul Berisha vazhdon të jetë në proces gjykimi për veprat penale për të cilat akuzohet. Akuzohet së bashku me 15 shokët e tij të grupit për vepra të rënda penale, që nga krijimi i organizatës kriminale, vrasjeve të ndryshme, rrëmbim personi e deri tek armëmbajtja pa leje. Të gjitha këto akuza, sipas Prokurorisë, janë zbardhur me ndihmën e të penduarit të kësaj dosjeje Adriatik Coli, i cili prej shumë vitesh ka qenë pjesë e kësaj "bande". Për disa javë rresht Coli ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ku ai ka radhitur në mënyrë të njëpasnjëshme krimet e kryera, sipas tij, nga banda dhe anëtarë të saj. Ndërsa i penduari Coli ka vijuar dëshminë, ku mbrojtësit ligjorë dhe vetë të pandehurit kanë pretenduar në mënyrë të vazhdueshme se i pandehuri Coli është manipuluar nga Prokuroria dhe gënjen gjykatën. Banda ka funksionuar si një e tërë. Kjo deri në vitin 1998 kur u vra edhe Klodian Saliu. Megjithëse edhe më parë kishin nisur çarjet në grup. Banda drejtohej nga Lulzim Berisha dhe ishte ky kapoja që shpërndante të ardhurat nga trafiku. Trafiku i drogës bëri që të kishte edhe kundërshtarë të vetuar dhe të fillonin eliminimet. Kështu në lojë u fut edhe Indrit Dokle, i cili kishte pas veten, njeriun e besuar fillimit të Lulit, Adriatik Colin dhe Klodian Saliun. Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle filluan të luftonin njëri –tjetrin duke vrarë shumë persona. Akuzohen se kanë trafikuar femra, drogë dhe kanë vrarë shumë persona në qytetin e Durrësit. Coli në dëshminë e tij ka thënë se për të vrarë Lulzim Berishën është vënë në dispozicion edhe një shumë e majme parash. Jo pak, por 150 mijë euro për atë që do të qëllonte për vdekje. Por, sipas dëshmisë së Adriatik Colit, ata asnjëherë nuk arritën ta vrisnin, vetëm e kanë plagosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›