E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa bazë e shërbimeve edhe në spitale

13/01/2011  Shërbimet falas do të përfshijnë vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në spitale

Këto shërbime do të përfshihen edhe në institucionet private në bazë të disa kritereve

Përveç shërbimeve bazë që marrin pranë mjekut të familjes, pacientët do të përfitojnë shërbimet falas sipas një pakete të mirëpërcaktuar edhe në shërbimin spitalor publik e në struktura private. Ndryshimet e përcaktuara në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, miratuar pak ditë më parë nga qeveria, i japin kompetencat Institutit të Sigurimeve Shëndetësore për hartimin e paketave mjekësore që do të ofrohen në spitale. Pjesë e kësaj skeme do të bëhen edhe strukturat private që ofrojnë shërbime shëndetësore në vend. Kështu do të krijohet regjistri i ri i dhënësve privatë të shërbimit, i cili do të përfshijë vetëm subjekte të licencuara dhe akredituara nga organet përkatëse për dhënien e shërbimit shëndetësor. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka shpjeguar dje se si do të funksionojë skema e re dhe rolin që pritet të ketë ky institut, i cili tashmë do të quhet Fondi i Sigurimeve.

Shërbimet në publik

Sikundër ndodh pranë poliklinikave edhe në spitale, duke përfshirë këtu jo vetëm strukturat e kryeqytetit, por edhe 12 spitalet rajonale, do të ketë paketa të mirëpërcaktuara shërbimi dhe rolin e avokatit të pacientit do ta luajë Fondi, i cili do të negociojë për këto paketa me ofruesit. Në përbërje të këtyre paketave do të përfshihen vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore që pacientët do të marrin pranë spitaleve falas, ose në raste të caktuara edhe kundrejt pagesave. Sipas Hanës, Këshilli Administrativ i ISKSH-së përmes komisioneve teknike të krijuara prej tij luan një rol të rëndësishëm në procesin e hartimit të paketave të shërbimeve që do të rimbursohen, gjithmonë duke u bazuar në aftësitë paguese të buxhetit. “Sot ka një paketë të përcaktuar në shërbimin parësor, por do të ketë edhe në shërbimin spitalor. Do të dihet saktësisht çfarë do të marrë pacienti, sa do të kushtojë, sa do të japë instituti si dhe cilat janë kostot reale, çfarë medikamentesh merr pacienti etj. Pra, është një pakete komplekse transparente, ku do të jenë të përcaktuara të gjitha procedurat, të cilat do të saktësohen që në lidhjen e kontratës ndërmjet spitalit dhe Fondit”, - shprehet Hana.

Privati

Për herë të parë ligji parashikon kontraktimin me shërbimin privat, duke futur elementin e konkurrencës. Kështu, do të negociohet edhe me strukturat private për ofrimin e paketës

shërbime shëndetësore, por natyrisht në bazë të disa kritereve. “Fillimisht do të bazohemi te kostot e publikut dhe mbulimi me sigurimin shëndetësor do të jetë deri në masën e publikut dhe diferenca paguhet nga pacienti që zgjedh privatin. Pra, nëse pacienti do të ketë dëshirë që për të njëjtat paketa shërbimesh që do të ofrohen në publik në të gjithë territorin e Shqipërisë, në të 12 spitalet rajonale, që do të pajisen me aparaturat e duhura nga Ministria gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare të hyrjes në fuqi të ligjit, atëherë ne jemi të gatshëm që të njëjtin shërbim ta japim edhe në privat. Kjo sepse ne do të mbulojmë po të njëjtën popullatë, por duke u bazuar në zgjedhjen e lirë të saj. Ne do të paguajmë të njëjtën shumë për të njëjtën paketë shërbimesh”, - ka pohuar Hana, duke i garantuar kështu të drejtën e zgjedhjes së lirë vetë pacientit. Ndërkohë përzgjedhja e këtyre do të bazohet në kritere të forta.

Kriteret për privatin

Do të ketë kritere të forta në përzgjedhjen e shërbimeve të kontraktuara në privat. Këto shërbime do të përzgjidhen vetëm pas akreditimit të dhënësve të shërbimit. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, do të krijohet regjistri i ri i dhënësve privatë të shërbimit, ndërkohë që do të jetë Këshilli Administrativ ai që do të miratojë metodat dhe kriteret e kontraktimit për dhënësit e shërbimeve shëndetësore duke stimuluar aksesin e shërbimeve, efektivitetin e kostos se tyre dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj popullatës.

Mbulimi

Ndryshimet do të jenë favorizuese për personat që tashmë janë pjesë e skemës së sigurimeve. Këta të fundit do të mund të përfitojnë prej saj të gjitha shërbimet falas të përcaktuara në paketën bazë. Po ashtu ligji mbulon të siguruarit, të cilët paguajnë 3.4 për qind kontribute (pra nuk ka ndryshuar masa e kontributit), ndërsa të pasiguruarit mbulohen nga shteti. Në fakt, sipas Hanës shteti merr përsipër një peshë të konsiderueshme financiare, duke mbuluar të papunët, fëmijët, pensionistet etj. Pra, ka një proteksion të lartë social.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›