E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu “shkel” në Ligën e Evropës



Leonard Karaj

Skënderbeu mund të jetë ekipi i pestë që do të përfaqësojë Shqipërinë në Kupat e Evropës. Lajmi nuk është zyrtar ende por burime në FSHF kanë pohuar dje për “Panorama” se klubi korçar është më i favorizuar përkundrejt Teutës, edhe kjo një rivale e denjë për të “prekur” Evropën.
Pas njoftimit të FSHF-së se Shqipëria mund të përfitojë një vend në Europë prej bonusit për skuadrat “fair-play”, dhënë ekskluzivisht për këtë sezon nga UEFA ndaj vendit tonë nisën edhe “bastet” për të gjetur skuadrën që realisht e meriton të përfaqësojë Superligën në Ligën e Evropës. Duke parë se Laçi e Tirana (renditen aktualisht në vendet 3-4) mund të luajnë pa “ndihmën” e UEFA-s në Ligën e Europës, atëherë FSHF-ja do të përcaktojë edhe skuadrën shqiptare “fair-play”, e cila mund të zgjidhet pikërisht midis Skënderbeut dhe Teutës. Teorikisht, në garë për një vend në këtë bonus të dhënë nga UEFA janë të gjitha skuadrat, duke filluar që nga Flamurtari e deri te Gramozi, por disa ekipe nëpër të i kanë hequr vetvetiu të drejtën vetes për të qenë kandidate për këtë çmim. Kështu Vllaznia, ndonëse është një nga skuadrat më elitare shqiptare në Kupat e Evropës dhe që ka dhuruar gjithnjë ndeshje shumë të mira, mund të mos përfshihet në këtë përzgjedhje për faktin se është në hetim nga UEFA që prej fillimit të këtij sezoni për ndeshjet e zhvilluar në Ligën e Evropës ndaj Rapidit të Vjenës. Ndërsa për ekipet e tjera do të merren parasysh disa kritere të dhënë paraprakisht nga UEFA të cilat nisin që nga kartonët e deri tek mënyra sesi një skuadër është sjellë në fushën e lojës si ndaj kundërshtarëve por edhe ndaj arbitrave dhe tifozëve. Pikërisht në këtë pikë dalin favoritë si Skënderbeu dhe Teuta. Që të dyja këto skuadra nuk kanë pasur asnjë përplasje në fushat e tyre gjatë këtij sezoni duke mos u bërë asnjëherë objekt diskutimi në Komisionin e Disiplinës. Kjo gjë konsiderohet një plus i madh për korçarët dhe durrsakët. Tjetër gjë nëse analizojmë me radhë ekipet e tjera duke filluar që nga Flamurtari e deri te Gramozi. Vlorës mund ti ndikojë mjaft incidenti në Flamurtari-Besa ku presidenti i vlonjatëve Shpëtim Gjika hyri deri në fushën e lojës duke “kërcënuar” arbitrat. Ndërsa Apolonia “vuan” faktin se gjatë këtij sezoni ka akuzuar mjaft futbollistë të saj për trukime ndeshjes duke mos lënë një imazh të mirë të vetë klubit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›