Suksesi i mbuluar në borxhe

Derisa Real Madridi dhe Barcelona janë kualifikuar për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe tri skuadra spanjolle gjenden në katër të fundit në Europa League, një hulumtim i llogarive të klubeve elitare ka treguar borxhe të mëdha dhe taksa të papaguara.
Reali udhëheq para Barcelonës me katër pikë në krye të La Ligës, por dy superfuqitë botërore janë rivalë mes vete edhe sa i përket nivelit të borxheve. Reali ka akumuluar 589 milionë euro, për dallim nga 578 (milionë euro) nga Barcelona. Borxhet e dy gjigantëve të La Ligës tejkalojnë shumën e të hyrave që për sezonin 2010-2011 arriti në 479 milionë euro për Real Madridin dhe 450 milionë euro për Barcelonën.
Gjysmëfinalistët e Europa League, Valencia dhe Atletico Madrid po ashtu kanë bilancet e shkruara me ngjyrë të kuqe, 382 përkatësisht 514 milionë euro. Por, shifra më e re që ka marrë qendrën e vëmendjes në Spanjë janë 752 milionë eurot që klubet nga elita e futbollit spanjoll i kanë borxh në taksa, derisa pesë milionë janë të papunë dhe qeveria ka kërkuar nga qytetarët për më tepër sakrifica.
Ministri i Sportit ka formuar një plan për të siguruar që futbolli do të paguajë borxhet e tij. Por, për momentin është i paqartë funksionimi i tij. Gjashtë prej 20 klubeve në La Liga – Rayo Vallecano, Racing Santander, Real Betis, Real Zaragoza, Granada dhe Mallorca – janë aktualisht në proces të falimentimit, njësoj sikurse gjashtë skuadra nga divizioni i dytë.
“Kjo tregon se futbolli spanjoll nuk është i menaxhuar mirë financiarisht”, tha profesori i ekonomisë në Universitetin e Barcelonës, Jose Maria Gay de Liebana, i cili specializon në futboll. Ai krahasoi borxhet e klubeve spanjolle të futbollit, që besohet të jenë në gjithsejtë 3.5 miliardë euro me krizën financiare që shpërtheu më 2008.
“Futbolli është pasqyrë e ekonomisë së përgjithshme në Spanjë. Me vite ne kemi shpenzuar mbi mundësi, duke u zhytur gjithnjë e më tepër në borxhe”, shpjegoi ai. Një shembull i mirë i tentimit për investim, pa marrë parasysh çmimin, është stadiumi i Valencias “New Mestalla”. Më 2007, Valencia vendosi t’i blejë vetes një stadium të ri me 70 mijë ulëse, edhe pse ka vetëm 39 mijë anëtarë.
Ndërtimi me vlerë prej 300 milionë eurosh ishte planifikuar të financohej nga shitja e tokës së stadiumit të vjetër për rreth 400 milionë euro. Dy vite më vonë, të penguar nga kriza e tregut të pronës, ndërtimi u ndërpre kur klubi kuptoi se nuk ishte në gjendje të gjente një blerës për pronën e stadiumit të vjetër. Një tjetër faktor që mund të ketë kontribuar në akumulimin e borxheve është mungesa e kontrollit financiar nga institucionet spanjolle. Disa fajësojnë shkallën e taksës nga liga spanjolle e futbollit, të tjerët paaftësinë për të shqiptuar sanksione të rënda sportive.
Deri së fundmi, liga profesionale spanjolle e futbollit nuk e kishte fuqinë për procedimin e klubeve në falimentim. Madje, disa skuadra shfrytëzuan ligjin e falimentimit në favor të tyre, duke shfrytëzuar mbrojtjen ligjore nga kreditorët e tyre, derisa vazhduan të luanin futboll në nivelin më të lartë. Gjendja është e paqartë.
Në vitet 90-të, autoritetet e futbollit kërcënuan të përjashtonin Celta Vigon dhe Sevillan për shkak të problemeve me dokumentacionin e tyre të regjistrimit, por u detyruan të zbutnin qëndrimin pas presionit të madh nga tifozët.