E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati italian/ Dy barazime 2-2 ne ndeshjet e se shtunes ne Serine A

Ky gol i Karaçolos i dha një barazim të shkëlqyer Xhenoas në shtëpinë e re të Juventusit. Një 2-2 i merituar për skuadrën mike, ndërsa pritej që të ishin bardhezinjtë që të bënin ligjin në Torino.

Në të vërtetë, fillimi ishte më i mirë për skuadrën e Antonio Kontes që kaloi në avantazh me golin e Alesandro Matrit që në minutën e 6-të, por më tej gjenovezët arritën të përgjigjen. Marko Rosi barazoi rezultatin kur sapo kishte kaluar një orë lojë dhe me këto shifra u mbyll pjesa e parë.

Në të dytën, Juve sërish nuk vonoi të ndryshonte shifrat në favorin e vet. Sërish autori i golit ishte Matri në minutën e 59-të dhe bardhezinjtë zgjodhën të menaxhonin këtë rezultat, duke shpenzuar shumë energji.

Veçse fundi ishte krejt i hidhur, ndërsa Andrea Karaçolo barazoi me një veprim të shkëlqyer duke pasur një rreze shumë të ngushtë në anën e djathtë të portës së mbrojtur nga Storari. U mendua se të zotët e shtëpisë do të ushtronte presion për të fituar, por në të kundërt ishin miqtë që iu afruan golit. Një gjuajtje e Zhorkerës në nisje të kohës shtesë u grushtua shkëlqyeshëm nga Storari, ndërsa Karaçolo provoi të shënonte pak më vonë me takë, duke mos ia arritur qëllimit. Një ndalesë e papritur për Juventusin.

Në “Artemio Franki” pati shumë Jovetiç, por pak Fiorentinë. Skuadra e Sinisha Mihajloviçit sërish nuk arriti të fitonte, ndonëse luajti në fushën e saj dhe ndonëse ishte dy herë në epërsi ndaj Katanias. Gjithsesi, ndeshja nisi mirë për ekipin nga Firence që shënoi që në minutën e 20-të me anë të mesfushorit malazez. Jovetiç gjuajti mrekullisht dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i bërë të kota protestat e Katanias.
Pas shumë minutave me sulme dypalëshe, miqtë barazuan me anë të Delvekios. Futbollisti mik provoi dy herë derisa e shënoi golin e tij në 43’.

Në pjesën e dytë, Jovetiç shënoi në mënyrë thuajse të njëjtë me pjesën e parë, me një të djathtë që nuk mund të pritej dot nga Anduhar, por as ky gol nuk mjaftoi. Katania barazoi 7’ para fundit me anë të Maksi Lopezit dhe pas një këmbënguljeje në zonë. Fundi ishte i hidhur për Mihajloviçin e përjashtuar nga gjyqtari pas protestave dhe për Fiorentinën që nuk arriti të fitonte dhe e sheh veten edhe më tej në vështirësi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›