E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga/ Dy fitore shtepiake dhe nje barazim

Dy fitore shtëpiake dhe një barazim shumë i vlefshëm. Këto ishin përfundimet e javës së 6-të të Superligës, me Flamurtarin dhe Kamzën që morën 3 pikët e radhës në fushat përkatëse. Shkumbini arriti një barazim 0-0 në Pogradec.

Në Vlorë, vendasit shënuan një gol që në minutën e dytë dhe u mbajtën fort pas tij duke mos lëshuar deri në fund. Progni ishte heroi i ditës, duke shtyrë në rrjetë një top të kthyer nga shtylla, ndërsa minutat në vazhdim u luajtën më shumë në mesfushë, ndonëse shkodranët u përpoqën që të barazonin dhe rrezikuan më shumë me gjuajtje nga distanca në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, miqtë patën mundësinë më të mirë për të barazuar pas një gabimi të portierit Spaho, por njeriu që shënon edhe nga 35 metra larg, pra Sukaj, nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Në minutat e fundit, Vllaznia mbeti me 10 lojtarë pasi Sykaj doli me karton të kuq, ndërsa Flamurtari thjesht u mjaftua të konservonte 3-pikët e fituara nga goli i tropojanit Progni.

Në Kamzë, vendasit goditën shpejt dhe shënuan me anë të sulmuesit Pema, e më pas me anë të mbrojtësit lezhjan, Ndreka. Skuadra beratase arriti të shkurtonte diferencën e golave po shpejt në pjesën e parë, me një penallti realizuar nga Roshi, por edhe pas 70’ lojë të mbetur nuk arriti të barazonte. Së fundi, Shkumbini mori një tjetër pikë të rëndësishme jashtë fushe dhe po 0-0. Këtë herë në Pogradec, pas barazimit pa gola ndaj Dinamos në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›