E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati spanjoll Reali i Madridit dhe Barcelona fitore te lehta e te thella

U duk sikur sapo ishte zgjuar nga gjumi dhe për 45 minuta shqetësoi “Bernabeun” dhe trajneri Murinjo. Realit të Madridit iu desh një “dush” i ftohtë nga ana e portugezit në pushim të ndeshjes, që të shpërthente dhe të fitonte bindshëm 4-1 ndaj Betisit në javën e 7-të të kampionatit spanjoll, me një 3-golësh të sulmuesit Gonzalo Higuain

Pjesa e parë, pra, ishte një përgjumje, me shumë pak raste për gol në portën mike, me këmbëngulje të Ronaldos, por edhe më një rast shumë të pastër të Betisit, kur Ruben Kastro fare mirë mund ta kishte dërguar topin në rrjetë. Përgjigja e Rikardo Kakasë, pas shërbimit të dhënë nga Ronaldo, gjithashtu nuk ishte e saktë.

Në pjesën e dytë muzika ndryshoi menjëherë. Reali shënoi që në minutën e 46-të kur Kristiano Ronaldo u tregua suprem dhe pasoi për Higuanin që shënoi si në një lojë fëmijësh.

Pas avantazhit madrilen, Benzema e Kaka humbën një gol tjetër në mënyrë të pabesueshme, por pas tyre ishte edhe Betis që mund ta kishte barazuar rezultatin.

Në minutën e 59-të, Kaka shënoi një gol shumë të bukur, sërish pas topit të marrë nga Ronaldo dhe trajneri Murinjo e largoi nga loja vetëm pa sekonda më parë, duke mos dashur ta ngarkojë tej mase.

Molina i dha shpresë miqve duke shënuar bukur në 69’, por shumë shpejt Reali u përgjigj. Gonzalo Higuain shënoi një minutë më pas, duke iu shmangur mbrojtjes dhe në 72’ realizoi sërish.

Murinjo largoi edhe Ronaldon 13’ para fundit, duke menduar për Lionin, ndërsa në minutën e dytë shtesë, Higuanin nuk shënoi dot golin e katërt.

Barcelona u përgjigj pa vonesë. Lionel Mesi me shokë fituan thjesht dhe pa probleme 3-0 ndaj Santanderit, në “Kamp Nou”, ndonëse humbën mbrojtësin e qendrës Pike, që pas 9 minutash lojë.

Menjëherë pas kësaj, Lionel Mesi nisi serinë e golave, duke shënuar në minutën e 11-të, pas një kombinimi me Andres Iniestën dhe pas një veprimi të shkëlqyer individual.

Katalanasit kërkuan golin e dytë dhe e gjetën atë në minutën e 28-të kur Ksavi Hernandez realizoi në portën e Rasingut, madje ishte një gol i rrallë shënuar me kokë pas një topi të dhënë nga Pedro.

Goli i treti qendroi i fshehur deri në minutën e 68-të, kur u krijua sërish nga dyshja e shkëlqyer Iniesta-Mesi. Diçka që u krijua thuajse nga hiçi, me veprime spektakolare të Iniestës dhe Mesit. Barça kryeson me 17 pikë ndaj 16 të Realit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›