E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati spanjoll/ Reali i Madridit fiton thelle ndaj e Malages

Ata po plasin nga ambicia për trofe, po shpërthejnë së brendshmi nga marazi që ende një ekip që quhet Barcelona i bën hije madhështisë së tyre. Reali i Madridit marshoi me një forcë të tmerrshme në fushën e Malagës që pati iluzione nën efektin e dhjetëra miliona eurove të shpenzuara, por që shpejt e kuptoi se rivaliteti hë për hë është një shaka.

Pasi Gonzalo Higuain kaloi si zakonisht në epërsi skuadrën e Murinjos, erdhi radha e Kristiano Ronaldos. Portugezi ishte një kryevepër në fushë, me 3 gola të njëpasnjëshëm, shënuar me aq lehtësi në vetëm 15 minuta, për të bërë hi e pluhur këtë ndeshje.

Fillimisht ai falenderoi Di Marian për krosimin e mrekullueshëm dhe e dërgoi topin në rrjetë nga afër, më tej u tregua i zoti vetë duke depërtuar në qendër dhe duke shënuar me një gjuajtje të fortë e të saktë. Goli i tretë erdhi 7 minuta para fundit të pjesës së parë, sërish nga numri 7 që veproi bukur e saktë brenda zonës.

Me këtë fitore, Reali arriti në kuotën e 19 pikëve pas 8 ndeshjeve, me golaverazhin përrallor 28-6 dhe me bindje të patundur se do të synojë titullin kampion duke dhënë edhe frymën e fundit.

Në dy ndeshjet e tjera të luajtura më herët, Espanjoli fitoi 1-0 në fushën e Santanderit, me golin e shënuar nga Sergio Garsia në 59’, ndërsa Gijon mposhti në fushën e tij Granadën 2-0. Barcelona luajti në orët tepër të vona të natës me Seviljen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›