E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i marrë peng: Fshatarët kanë të drejtë që protestojnë

17/12/2004  

LIBRAZHD - Pas ngjarjes së dy ditëve më parë në fshatin Polis të komunës me të njëjtin emër në Librazhd, ku u mor peng shefi i rendit të Komisariatit të Policisë së Librazhdit, reagon Kujtim Ozuni. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, Ozuni, shefi i rendit, shpjegon “barrierën” e banorëve, ndërsa nga ana tjetër, u jep të drejtë atyre në kërkesën për mosndërtimin e ujësjellësit.

Dy ditë më parë, jeni mbajtur peng nga banorë të fshatit Polis, teksa kishit shkuar për të kërkuar zbatimin e një vendimi të këshillit të kësaj komune. Si e argumentoni këtë veprim të banorëve?

Po, është e vërtetë që kam qenë në këtë fshat, por nuk mund të them se jam marrë peng nga ana e këtyre banorëve, pasi ata vetëm se më kanë zënë rrugën dhe nuk më lanë të kaloja për të shkuar atje ku punonte firma ndërtuese e ujësjellësit, që ka nisur të ndërtohet.

Si reaguat ju pas këtij verprimi të banorëve?

Ne shkuam pasi disa herë na ishte bërë kërkesë nga ana e komunës, se banorët nuk lejojnë fillimin e punimeve për zbatimin e këtij projekti. Në rastin konkret, vërtet është marrë një vendim nga këshilli i komunës për ndërtimin e këtij ujësjellësi, por ky vendim nis zbatimin vetëm pasi konfirmohet nga ana e prefektit të Qarkut. Këtë gjë prefekti i Qarkut, Qazim Sejdini, nuk e ka bërë deri më sot. Banorët kanë të drejtë, sepse në atë fshat në çdo shtëpi që të shkosh, sheh se kanë ujë dhe bindesh menjëherë se ky fshat nuk ka nevojë për ujësjellës. Këtu, është e gjithë puna, pasi bëhet fjalë për një tender me vlerë të madhe, mbi 30 milionë lekë (të reja) dhe ndërtimi i këtij ujësjellësi duket se josh interesat e tjetër kujt, por jo të banorëve të këtij komuniteti.

Cilat ishin kërkesat e këtyre banorëve, kur ju u përballët me ata?

Ata kërkojnë të anulohet ky tender dhe ky investim që po bëhet për ujësjellësin, pasi ata argumentojnë se nuk e kanë të nevojshme këtë dhe se kërkesa dhe nevoja emergjente për këtë komunë është ndërtimi i rrugëve, rehabilitimi i shkollave, apo qendrave shëndetësore, ndërsa problemin e ujit e kanë të zgjidhur secili me mënyrën e vet.

Ju, do të shkoni më në këtë fshat përsëri?

Për këtë problem, ne nuk shkojmë më atje, pasi nuk na mbron njeri dhe s’kemi çfarë të bëjmë kur nuk kemi asgjë të mbështetur në ligj, përderisa mungojnë vendimet përkatëse dhe ky nuk është një vendim gjykate i formës së prerë, ku policia ka të drejtë të ndërhyjë me autoritetin e saj.

I. Xhyra

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›