Tregtarët: Do rrisim prap çmimin e naftës
17/12/2004 Tregu vendas ka filluar të reflektojë me shpjetësi luhatjet e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, duke rezervuar surpriza të çuditshme për konsumatorët. Një ditë nafta është 95 lekë dhe një ditë më pas të gjithë e blejnë me 98 lekë, madje dhe me 100 lekë për litër. Por gjatë tri ditëve të fundit, nafta u njehsua në treg me çmimin 95 lekë për litër për naftën e importit dhe 105 lekë për litër për eurodiesel. “Kjo ka të bëjë me çmimin me të cilin importuesit e blejnë naftën në tregun ndërkombëtar”, thotë Viktor Nushi, kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve. Sipas Nushit, grafiku i shitjes së naftës në tregun ndërkombëtar ka pësuar luhatje gjatë ditëve të fundit. “Ata që e kanë blerë me 398 dollarë fuçinë, kanë patur mundësi të nxjerrin në treg me çmim më të ulët, por dje një fuçi u shit me 419 dollarë dhe menjëherë tregu reflektoi, duke e çuar çmimin në 98 lekë për litër”, thotë Nushi. Rritja e kërkesës konsumatore në treg ka bërë që importuesit të rrisin frekuencën e importit të naftës, duke bërë që çdo javë të përballen me një çmim të ndryshëm. “Nuk mendoj se do të ketë një ndryshim në të ardhmen dhe çmimi i naftës do të vazhdojë të jetë po ai, sepse dhe në tregun ndërkombëtar çmimi nuk do të jetë më i lartë se 419 dollarë”, thotë Viktor Nushi. Sipas Nushit, të gjithë janë duke pritur reagimet e OPEC–ut për të bërë parashikimet mbi të ardhmen e prodhimit të naftës dhe, më pas të çmimit në tregun ndërkombëtar. Ndërkaq tregu vendas do të vazhdojë të ketë naftë me çmim 98 lekë për litër. Duket se vendimi i ministrit të Energjetikës për tregtimin vetëm të naftës eurodiesel, ka bërë që importuesit të përgatiten për të furnizuar tregun me naftën e shtrenjtë. Kjo bën që tregu të përgatitet për një tjetër nivel çmimi, i cili me sa duket do të mbizotërojë në 2005-ën. Edhe pse drejtues në Ministrinë e Ekonomisë deklaruan se nuk do të ndalohet importi i naftës D2, përdorimi i tij do të jetë vetëm për bujqësinë dhe peshkimin, duke bërë ngjyrosjen e tij sapo vjen nga importi, me qëllim që të ndalohet tregtimi për makina.