Kampionet, sundon shenja “X”, zhgënjen Barcelona në “Nou Kamp” - ( video )

Albania-Sport - Liga e Kampioneve ka luajtur të mërkurën në mbrëmje katër ndeshjet e dyta të turit të 16-shes dhe, ndonëse 3 prej tyre kanë përfunduar në barazim, ka qenë humbja e Barcelonës në "Nou Kamp", përballë Liverpulit, ajo që ka tërhequr vëmendjen, edhe për arsyen se tashmë lëkundet seriozisht pankina e trajnerit holandez të katalanëve, Frenk Rajkard. Në sfidën e zhvilluar në Stadiumin Olimpik të Romës u nxorën plot 11 kartona të verdhë nga ana e gjyqtarit, por nuk u shënua dot asnjë gol në sfidën midis Romës vendase dhe Lionit.
Ky është një rezultat që nënkupton se gjithcka do të vendoset në sfidën e kthimit në Stade "Zherland". Ndërkaq, në barazim, por në shifrat 1-1, u mbyll edhe sfida e luajtur në "Stadio Dragao" të Oportos, midis Portos vendase dhe skuadrës së Celsit, të drejtuar nga trajneri portugez, Hoze Murinjo, me të cilin skuadra vendase qe shpallur kampione e kontinentit para disa sezonesh. Ndonëse ishin vendasit ata që kaluan të parët në epërsi, që në minutën e 12-të, miqtë u kundërpërgjigjën vetëm 4 minuta më pas, me anë të një goli të ukrainasit Andrij Shevcenko.
Po në barazim, por në shifrat 2-2 u mbyll edhe sfida e zhvilluar në "San Siro", midis Interit dhe Valencias, një rezultat ky që i ndërlikon mjaft shpresat e italianëve për një vend në cerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ndonëse Kambiaso e kaloi Interin në epërsi pas 29 minutash lojë, është David Vija që barazon rezultatin në minutën e 64-t. Por, vendasit, të cilët kalojnë sërish në epërsi me anë të Maikonit, i cili gjen rrugën e rrjetës në minutën e 76-të, nuk arrijnë ta ruajnë këtë epërsi dhe pësojnë një gol katër minuta para përfundimit të ndeshjes, kur Silva shënoi për Valencian.
Natyrisht që rezultati më i papritur i mbrëmjes ishte ai i sfidës së zhvilluar në "Nou Kamp", midis kampiones në fuqi të kontinentit, Barcelonës, dhe kampiones së 2005-s, Liverpulit, ku fitues doli ky i fundit. U duk se do të ishte një fitore që do të arrihej lehtë për Barcelonën, e cila kaloi në epërsi pas vetëm 14 minutash lojë, me anë të Dekos, por anglezët u kundërpërgjigjën dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, me atë një goli të shënuar nga Kreig Belami. Ndërkaq, në minutën e 74-t, Xhon Arne Rise shënon golin e dytë për Liverpulin, duke realizuar një përmbysje të papritur dhe duke i siguruar skuadrës së tij një rezultat mjaft të vlefshëm për ndeshjen e kthimit, në "Anfilld".
Porto 1 Chelsea 1
Barcelona 1 Liverpool 2
İnter 2 Valencia 2