Kampioni e deklasoi liderin
Hysi – Prishtina 4:1
Kampioni aktual i Kosovës, Hysi, e ka deklasuar liderin e deritashëm, Prishtina, në kryendeshjen e xhiros së 13-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra llapjane ka qenë dukshëm më e mirë se ajo prishtinase.
Për kuriozitet, Hysit ia kanë siguruar fitoren tre futbollistë vushtrrias. Labinot Osmani ka kontribuuar me dy gola: të parin në minutën e 27-të me kokë, kur u shërbye nga Yll Hoxha, kurse të dytin në atë të 47-të, nga afërsia me të majtën.
Nga një gol e shtuan edhe Enis Zabërxha (61) e zëvendësuesi Bajram Zuqaku (86) me gol fantastik, për ta kompletuar goleadën e bardh e zinjve. Në anën tjetër golin e nderit për bardh e kaltrit e realizoi ish futbollisti i Hysit, Elhami Berisha. Kjo humbje i kushtoi Prishtinës me zbritje në pozitën e dytë në tabelë.
Drita – Drenica 2:1
Drita pati gëzim të dyfishtë të shtunën. Skudra gjilanase e ka mposhtur Drenicën me rezultat të ngushtë dhe me këtë rast e ka rikthyer primatin në Superligë, gjithashtu falë humbjes së Prishtinës nga Hysi.
Vernhar Sermaxhaj ka qenë hero i Dritës, duke shënuar dy gola. Të parin e realizoi në minutën e 28-të, kurse të dytin në atë të 59-të nga penalltia, të cilën më parë e nxirrte vetë.
Drenica e ka ngushtuar rezultatin në minutën e 67-të, në rastin e parë që kishte, përmes Lorik Maxhunit, i cili mori një top të mirë nga Taulant Dajaku.
Vëllaznimi – Liria 1:1
Vëllaznimin nuk ka arritur ta këndell pas humbjes nga Prishtina as trajneri Ajet Shosholli. Skuadra gjakovare nuk ka arritur më shumë se një barazim në shtëpi me Lirinë.
Pas një pjese të parë të qetë, Kuqezinjtë kaluan përpara në minutën e 64-t, kur shënonte Atdhe Gashi nga gjuajtja e lirë, i ndihmuar nga devijimi i topit që e bëri Kryeziu.
Mirëpo, prizrenasit kanë barazuar gjithçka 5 minuta pa përfunduar takimi kur Alban Guci realizoi nga penalltia. Kjo ishte një pikë e vlefshme për Lirinë, kurse për Vëllaznimin, dështimi i radhës.
Trepça – Gjilani 1:1
Berat Hyseni ka qenë figura më tragjike në barazimin e Trepçës me Gjilanin në Mitrovicë. Sulmuesi prishtinas ka dështuar t’ia sigurojë ekipit të tij praktikisht fitoren në minutën e 70-të, kur nga pika e 11 metërshit gjuajti jashtë portës.
Më parë, portieri Maloku ndërhynte ndaj Elvis Osmanit në mënyrë të palejueshme në zonën e rreptësisë. Mirëpo, Hyseni mund të arsyetohet sadopak me golin e parë të mitrovicasve, të cilin e shënoi pikërisht ai, pas gabimit të portierit Maloku, kur harkonte Shpëtim Babaj (55’).
Skuadra e Muharrem Sahitit e ka lënë gojëhapur ekipin vendës në minutën e 81-të, duke e realizuar me saktësi një variant të ushtruar. Të gjithë prisnin se Arsim Plepolli do të gjuante drejt në portë ose të harkonte nga goditja e lirë, por ai e gjeti për mrekulli Alban Hysenin, i cili i barazoi shifrat në 1:1, me të cilin rezultat edhe përfundoi kjo përballje.
Lepenci – KEK-u 2:0
Prej ardhjes së trajnerit Arsim Abazi, Lepenci ka filluar të buzëqesh. Skuadra nga Kaçaniku e vazhdoi serinë e rezultateve të mira, duke triumfuar edhe ndaj KEK-ut.
Florim Berisha ka qenë kreator i fitores së kuq e zinjve duke realizuar dy gola, në minutën e 24-t dhe në atë të 47-të. Ky trepikësh e ngrit Lepencin në pozitën e shtatë.
Tabela
1. Drita 28
2. Prishtina 26
3. Trepça ’89 23
4. Vëllaznimi 23
5. Hysi 21
6. Besa 18
7. Lepenci 16
8. Trepça 15
9. Drenica 13
10. Gjilani 11
11. Liria 11
12. KEK-u 10