E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionia e Italise Milan ne Dubai

Milani është në Dubai, duke u përgatitur për pjesën e dytë të sezonit, por vëmendja është përqendruar tek miqësorja e datës 4 janar ndaj Paris Sen Zhermenit, ekip që tashmë drejtohet nga ish-trajneri kuqezi, Karlo Ançeloti. Drejtuesi i tanishëm i Milanit, Masimiliano Alegri, nuk e quan këtë ndeshje si duel personal me Ançelotin, ndërsa flet edhe për garën për titullin kampion si dhe për Karlos Tevezin.
“Nuk bëhet fjalë për përballje personale mes nesh. Do të jetë një përballje mes dy ekipeve që po përgatiten për pjesën e mbetur të sezonit. Në kampionat, janë edhe 19 ndeshje për t’u luajtur. Nuk do të jetë e lehtë pasi Juventus e Lacio janë të fortë. Milani ka sulmues të fortë, ndaj nuk po mendoj për Tevezin, të paktën aktualisht” u shpreh Alegri.
Holandezi i Milanit, Klarens Zedorf, ka një kujtim të shkëlqyer nga ish-trajneri i tij, Ançeloti, me të cilin fitoi dy Liga të Kampionëve.
“Ai e ka provuar veten për shumë vjet me radhë. Mendoj se do të punojë mirë atje, shpresoj që ta presin mirë” tha Zedorf.
Milani është në krye të Serisë A, me pikë të barabarta me Juventusin ndaj edhe gara për titull pritet që të jetë e fortë deri në fund.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›