Kamza e administruar nga Qarri në sulm për sulmues
Te kamzalinjtë kanë mbërritur dy sulmues serbë, që do të testohen javën që vjen, si dhe pritet sulmuesi Eduart Tanushi dhe mesfushori Klevis Roshi
Nga ILIR CARA
Përpos vendimit të Komisionit të Licencimeve në FSHF, që ka të bëjë me pezullimin e Kamzës, skuadra e ndërtuar nga presidenti Naim Qarri vijon përgatitjet me bindjen se do të jenë pjesë e aktiviteteve futbollistike për sezonin 2012-2013. Madje drejtuesit janë në etapat e fundit në përmbylljen e merkatos, ku si prioritet i fundit mbetet përforcimi i repartit sulmues, i cili ka qenë një nga pikat më të dobëta të skuadrës në edicionet e fundit. Por thuhet se janë marrët masat edhe për këtë gjë, pasi dje në kryeqytet kanë mbërritur edhe dy sulmues serbë, të cilët duke filluar nga java që vjen do të vihen nën urdhrat e trajnerit Sajmir Malko. Padyshim që dy sulmuesit e ardhur nga Serbia do ti nënshtrohet një testi të stafit teknik dhe më pas do të vendoset rreth tyre. Mësohet se presidenti Qarri ka gjetur akordin edhe me sulmuesin Eduart Tanushi, i cili në kampin kamzali shikohet si pjesë e bluve të Kamzës. Por merkatoja skuadrës nuk ndalet këtu, pasi thuhet se po bisedohet edhe për afrimin e mesfushorit Klevis Roshi, i cili prej ditësh po përgatitet me Partizanin. Nga burime pranë klubit thuhet se mesfushori elbasanas e ka pranuar ofertën e bërë nga presidenti Naim Qarri, por mbetet për të parë, pasi Roshi vijon të jetë pjesë e të kuqve të kryeqytetit, madje ai ndodhet edhe në listën e futbollistëve që Partizani ka seleksionuar për sezonin e ri.
Kamza fiton 4-1 me Shkëndijën U-19 Të enjten Kamza u shpërfytyrua në miqësoren me Partizanin, pasi u mund 7-1. Por për drejtueist e Kamzës thuhet se nuk bëhej fjalë për ekipin e vërtetë, pasi ndaj të kuqve u aktivizuan të rinj që janë në provë. Dje Kamza ka zhvilluar një tjetër ndeshje miqësore ku përballë tyre kanë qenë të rinjtë e Shkëndijës së Tiranës, që drejtohen nga trajneri Shpendi Kumbarçe. Në përfundim të këtij takimi stafi teknik ka vendosur në reduktimin e grupit, ku në grupin e të larguarve dominionin ata futbollistë që luajtën ndaj Partizanit. Takimi i djeshëm u fitua 4-1 nga kamzalinjtë, ku në dallim nga një ditë më parë trajneri Malko aktivizoi lojtarët me eksperiencë. Golat për Kamzën u shënuan dy nga Rezart Maho dhe nga një shënuan Andi Koçi dhe Xhulio Mehmeti. Por e bukura e këtij takimi është se trajneri i të rinjve të Shkëndijës, Shpendi Kumbarçe, që dje ishte përballë Kamzës përflitet si një alternativë për të marrë drejtimin e skuadrës së Kamzës, që pritet të ndërtojë Bashkia. Mësohet se edhe Bashkia e Kamzës po mundohet që gjatë kësaj kohe të mbetur të ndërtojë ekipin e saj me shpresën se do të jetë ajo që do të përfaqësojë futbollin e komunitetit. Madje dje thuhet se është bërë një tjetër mbledhje e këshillit bashkiak me qëllimin për të bërë disa ndryshime në statusin e shoqërisë së re, që të mos bie ndesh në regjistrimin në FSHF.
