Kryebashkiaku Gjyzeli premton mbështetje financiare për Naftëtarin
Nga ARBEN ÇEPANI
Momentalisht Naftëtari po financohet nga bashkia, e cila pas tërheqjes së njërit prej aksionarëve kryesorë, firmës Enarvi po qëndron pranë skuadrës në këto momente. Kryebashkiaku kuçovar z. Bardhyl Gjyzeli njihet për interesimin që ka për ekipin. Ndërkohë, nuk duhet mohuar kontributi i tij për skuadrën gjatë sezonit të kaluar, sidomos në ndeshjen shtesë ndaj Gramozit. Naftëtari ka fituar 2-1, ku përpara sfidës kryebashkiaku kuçovar i ka motivuar futbollistët si financiarisht, ashtu dhe moralisht. Të njëjtën gjë ai pritet ta bëjë dhe në sezonin e ri. “Dihen vështirësitë financiare, por gjithsesi ne jemi të vendosur për të ndërtuar një ekip të denjë për Kategorinë e Parë. Momentalisht do ta përballojmë kampionatin me financat tona, por shpresojmë për afrimin e donatorëve të tjerë. Jam i kënaqur me punën që po bën stafi teknik së bashku me futbollistët, të cilët janë treguar të gatshëm për të dhënë më të mirën e tyre për Naftëtarin. Personalisht i vlerësoj sakrificat e tyre. Kam ndjekur seancat stërvitore, por edhe miqësoren me Albpetrolin, ku edhe pse nuk mund të pretendoj rolin e specialistit besoj se duhen bërë disa përforcime. Do të mundohemi për afrimin e të paktën tre futbollistëve cilësorë, ndonëse mundësitë financiare janë të limituara. Do të kemi një organizim më të mirë se sezoni i kaluar, ku futbollistët do të vlerësohen për punë e tyre. Nuk do të ketë diferencime, teksa kolektiviteti duhet të jetë çelësi për të përballuar me sukses sfidat që do të zhvillohen gjatë sezonit të ri”, – përfundon kryetari i Bashkisë së Kuçovës, z. Bardhyl Gjyzeli.