E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza mendjen edhe te kupa, Gjoka do pikë

Nga ILIR CARA

Trajneri Ernest Gjoka në përballjen e dytë të kupës do të tentojë thuajse me grupin që mposhti Flamurtarin

Kamza sezonin e saj e luan në kampionat, por blutë e trajnerit Ernest Gjoka kërkojnë të lënë gjurmë edhe në Kupën e Shqipërisë. Kamza bën pjesë në Grupin B, së bashku me Flamurtarin, Teutën dhe Pogradecin. Në serinë e parë të ndeshjeve të grupit, të zhvilluara para një jave, Kamza fitoi 1-0 me Flamurtarin, ndërsa Teuta barazoi 0-0 me Pogradecin. Kamzalinjtë kryesojnë grupin dhe kanë udhëtuar që mbrëmë drejt Pogradecit, me synimin për të vijuar me rezultat pozitiv.

Në fundjavë kamzalinjtë fituan ndaj Tomorit dhe, përpara se të luajnë derbin me Dinamon, duhet të kalojnë sot përballjen e kupës në transfertën e Pogradecit. Trajneri Gjoka vijon me filozofinë e tij se, duke e mbajtuar ekipin të karikuar, mund të marrësh më shumë produktivitet. Sipas trajnerit Gjoka, për momenetin Kamza është e fokusuar vetëm te Pogradeci dhe, pasi të ketë kaluar këtë takim, do të vijojë punën për derbin e kampionatit.

Nga ajo që është parë ndaj beratasve, pritet që në Pogradec formacioni të ketë 2-3 ndryshime të vogla, pra pak a shumë do të jetë i njëjti grup, që triumfoi para një jave me vlonjatët. Ndaj Tomorit treguam se jemi në një situatë të mirë, kështu që Kamzës i del për detyrë të mbajë këtë ritëm edhe në ndeshjet e radhës, pavarësisht emrit të kundërshtarit dhe fushës ku luajmë.

Ngarkesa është e madhe, pasi Kamza edhe në kupë ka synimet e saj, kështu që do të vijojmë të jemi kërkues në të dy veprimtaritë. Kam besim se, duke qenë të gjithë së bashku, staf, lojtarë dhe presidencë, do të japim maksimumin dhe do ta kalojmë me sukses këtë periudhë të ngarkuar, ku dihet se luajmë dy ndeshje brenda një jave. Koha ka qenë e paktë, por jemi munduar ta përgatisim sa më mirë ndeshjen e kupës dhe synojmë të mos dalim pa pikë nga Pogradeci.

I mbetem të njëjtit qëndrim si në ndeshjen me Flamurtarin, pasi nuk kemi pse rezervohemi në kupë. E kemi thënë që ndeshjet e kupës janë mundësia më e mirë për të na mbajtuir të karikuar për kampionatin. Ndaj Pogradecit nuk do të rezervoj shumë, thuajse do të luajmë si me Flamurtarin, madje mendoj që në dallim nga sfida me vlonjatët sot do të aktivizoj edhe kapitenin Fatjon Tafaj. Mirë do të ishte që në derbin e fundjavës të shkojmë pas një rezultati pozitiv në kupë,  përfundoi trajneri i bluve të Kamzës, Ernest Gjoka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›