Lutaj: Nuk mund të bëjmë tjetër hap fals në kupë
Trajneri i Flamurtarit e sheh si ndeshje vendimtare në grupin ku bën pjesë ekipi i tij, pasi do të komprometonte kualifikimin nëse nuk fitohej
Flamurtari-Teuta do të jetë ndeshja e dytë për Kupën e Shqipërisë në grupin ku bëjnë pjesë, por më e rëndësishme për të dyja skuadrat. Është ky mendimi i përcjellë nga trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, sipas të cilit, fakti që skuadrat nuk kanë marrë fitore në ndeshjen e parë, e bën të domosdoshme nga të dy ekipet marrjen e pikëve maksimale.
Për këtë fakt, trajneri Lutaj ka pranuar se në ndeshjen e së mërkurës në formacionin vlonjat do të aktivizohen lojtarët titullarë, ndërsa ka kërkuar njëkohësisht mbështetjen e publikut në shkallët e stadiumit. Më duhet të them se është një ndeshje shumë e rëndësishme për Flamurtarin dhe na duhet vetëm fitorja.
Ky është objektivi i vetëm për këtë përballje, ndërsa është fusha e lojës ajo që vendos për gjithçka. Fakti që në takimin e parë në grup kemi humbur, e bën më të kërkuar fitoren për Flamurtarin, pasi tri pikët ndaj Teutës na vunë në një situatë disi më të mirë në grup. Do të më pëlqente që ekipi të luante një ndeshje ashtu si ndaj Vllaznisë në kampionat, por ajo që dëshiroj të ndryshoj, është veç shënimi i golave, pasi nuk duhet të shpërdorojmë shumë gjatë takimit, thekson trajneri Edmond Lutaj.
Teuta Me kundërshtarin që luajmë në takimin e dytë në kupë jemi ndeshur edhe në kampionat dhe mendoj se të dy ekipet e njohin mirë njëri-tjetrin. Më duket se është folur shumë për takimin e kampionatit mes Teutës dhe Flamurtarit, por unë menoj se ai ishte ndoshta takimi më i mirë që kemi zhvilluar. Kam në dispozicion pothuajse të gjithë lojtarët dhe ndoshta nuk do të ketë ndryshime, pasi e vlerësoj shumë këtë ndeshje dhe do të kërkoj të marr një rezultat sa më të mirë, pra tri pikët.
Teuta dhe Flamurtari janë ekipet më të mira të grupit ku ndodhemi, por fatkeqësisht rezultatet e takimeve të para nuk na japin shumë të drejtë për këtë gjë. Ajo që më intereson tashmë është vetëm fitorja nesër (sot), duke shpresuar në një tjetër paraqitje të mirë të ekipit. Është shpejt për të folur për Bylisin. Ndeshja e radhës në kampionat luhet ditën e hënë, ndaj kemi kohën e mjaftueshme për tu përgatitur për këtë takim.
Tashmë mendojmë vetëm Teutën. Ajo që dua të shtoj është prania e publikut, ndoshta këtë herë kërkoj më shumë se kurrë mbështetjen e tyre. Fitoret e arritura deri më tani në kampionat në fushën tonë u takojnë sportdashësve. Mendoj se i kemi arritur së bashku, ndaj i presim të shumtë në ndeshjen përballë Teutës, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.
Nuk do të ketë aspak rotacion për ndeshjen e sotme
Pavarësisht se sot luhet për kupë dhe jo për kampionat, në radhët e Flamurtarit nuk do të ketë ndryshime në formacion. Duke qenë se fitorja mbetet i vetmi objektiv, në formacion do të jenë të gjithë lojtarët titullarë. Nuk do të ketë aspak rotacion, siç edhe ishte përfolur fillimisht për ndeshjet në kupë. Kështu ndaj Teutës, trajneri Lutaj do tu besojë të njëjtëve futbollistë që aktivizoi edhe ndaj Vllaznisë për kampionat.
Porta do ti besohet sërish lushnjarit Spaho. Në mbrojtje do të aktivizohen Veliu, Rajoviç, Sakaj dhe Abraham. Në mesfushë startojnë nga minuta e parë Progni, Kuqi, Shtubina dhe Lena, ndërsa dyshja e sulmit Brkiç-Hysa. Duket se sulmuesi serb do të ketë sërish aktivizim nga minuta e parë, për ti dhënë më shumë besim pas paraqitjeve të tij në ndeshjet e fundit.
Brahja dhe Beqiri, dy mungesat e vetma të vlonjatëve
Mbrojtësit Brahja dhe Beqiri janë jashtë ekipit për ndeshjen me Teutën. Të dy lojtarët mendoheshin se do të ishin të gatshëm për këtë takim, madje Brahja ishte menduar për tu aktivizuar si titullar. Por stafi teknik dhe trajneri Lutaj kanë preferuar të mos rrezikojnë me të dy lojtarët, duke i lënë sërish pushim. Mendohet se si Brahja, ashtu dhe Beqiri, do të jenë plotësisht të gatshëm për ndeshjen në kampionat ndaj Bylisit.
Mbrojtësi laçian Julian Brahja ka qenë një nga lojtarët titullarë të Flamurtarit të sezonit të kaluar, por këtë sezon shumë pak minuta ka zbritur në fushën e lojës. Edhe atëherë kur mendohej se do të aktivizohej, lojtari u godit nga dëmtimi, duke treguar se edhe fati nuk është në krahun e mbrojtësit të Flamurtarit.
Edhe pse ndeshje kupe, vlonjatët grumbullohen
Ekipi vlonjat është grumbulluar përpara ndeshjes me Teutën. Ndërsa diçka e tillë ishte aplikuar vetëm në takimet e kampionatit, është menduar edhe një përjashtim vetëm për shkak të rëndësisë që i kanë dhënë ndeshjes drejtuesit dhe stafi teknik i Flamurtarit. Ekipi vlonjat ka kaluar natën në një nga hotelet buzë bregdetit, ndërsa është menduar se për këtë qëllim duhet të shërbejë ky grumbullim edhe si një sinjal për fitoren ndaj Teutës. Gjithsesi, grumbullimi ka ardhur vetëm për shkak të rëndësisë, ndërsa menjëherë pas stërvitjes së fundit në prag të takimit futbollistët nuk u janë drejtuar banesave të tyre, por vendit të grumbullimit.
