Mishele Obama ne Londer

Nuk ka më mirë se kështu. Pushim, verë në një qytet të freskët, pritje fisnike nga kurora britanike, ndeshje të bukura, madje edhe aventura që nuk i kishte menduar.
Kjo është Olimpiada për zonjën e parë të SHBA, Mishelë Obama, e cila është instaluar pikërisht në Londër, ndërsa aty zhvillohen Lojrat Olimpike.
Si fillim, e shoqja e presidentit Barak Obama, përjetoi pritjen madhështore nga Mbretëresha Elizabeta II, në pallatin mbretëror të Bakingamit, pritje me të cilën asaj iu urua mirëseardhja në Londër, në Britaninë e Madhe dhe në Lojrat Olimpike.
Më tej, Mishela u kënaq në ceremoninë e shkëlqyer të hapjes që filloi të premten në mbrëmje dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke vazhduar për rreth 4 orë.
Ajo nuk humbi rastin të ndiqte sportistët amerikanë gjatë garave të tyre dhe e bëri këtë me tenisten e shquar, Serena Uilliams, një nga pretendentet kryesore për të fituar titullin olimpik. Uilliams nuk e zhgënjeu Zonjën e Parë duke fituar pa shumë probleme ndeshjen e saj të parë ndaj serbes, Jelena Jankoviç, në dy sete.
Së fundi, për të pati një të papritur të bukur, në një vizitë që Mishela i bëri ekipit olimpik amerikan. Mundësja Elena Pirozhkova e ngriti hopa Zonjën e Parë, në një moment të pazakontë dhe të shkëlqyer, ndërsa u shpreh më pas se i kishte kërkuar leje për një gjë të tillë.
Një fotograf i Shtëpisë së Bardhë nuk e humbi rastin që iu paraqit. Zonja e parë, Mishelë Obama, shpreson që çastet e bukura të saj në Londër 2012 të vazhdojnë deri në fund.