Lefter Cenaj me prokurë: 8 milionë USD për kreditorët e mi
Kreu i firmës piramidale, “Cenaj”, Lefter Cenaj, i jep të drejtë shtetit shqiptar që të veprojë ligjërisht për të marrë paratë e tij, të cilat ndodhen në bankat greke. Ai ka pranuar publikisht se paratë që ndodhen në disa banka greke janë të popullit shqiptar dhe ato duhet të kthehen menjëherë për t‘iu dorëzuar kreditorëve që kanë mandatet e arkëtimeve. I dënuari me 10 vjet heqjeje lirie (i liruar disa kohë më parë) ka pranuar që ky proces të zhbllokohet menjëherë dhe paratë që ka mbledhur në popull t‘u kthehen kreditorëve. Nëpërmjet një prokurore ai ka autorizuar shtetin shqiptar që ta përfaqësojë në një proces gjyqësor që është hapur në Greqi për rikthimin e parave. Kjo shkresë, mësohet se është dërguar në shtetin grek, në procesin civil që ka hapur Shqipëria për kthimin e shumave të kreditorëve shqiptarë. Mësohet se janë rreth 8 milionë dollarë që i janë sekuestruar disa vite më parë Cenajt, pasi akuzohej nga drejtësia greke për evazion fiskal. Ai kishte ngritur disa kompani fiktive dhe nëpërmjet tyre u dyshua se pastronte para. I gjithë aktiviteti i tij është zbuluar nga policia e Athinës dhe ndaj tij filloi një proces gjyqësor. Ai u dënua me pesë vjet burg në të tri shkallët e gjyqësorit, ndërsa “pasuria” e tij prej tetë milionë USD është sekuestruar për llogari të shtetit grek. Paratë janë gjetur në një bankë dhe pas një vendimi të formës së prerë, paratë i kanë kaluar Greqisë. Edhe pse ka pasur procese të shumta gjyqësore për kthimin e të hollave, Cenaj nuk ka fituar asnjëherë. Tashmë pret që drejtësia shqiptare të veprojë ligjërisht, pra të rikthejë në Shqipëri paratë që kishte mbledhur nga aktiviteti i paligjshëm në Shqipëri gjatë viteve 1992-1996. “Unë, Lefter Qemal Cenaj, i dënuar me 10 vjet burg nga drejtësia shqiptare, nën akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha, autorizoj shtetin shqiptar që të marrë paratë e mia në disa banka greke, të cilat më janë sekuestruar pas arrestimit tim” kështu fillon prokura e ish-bosit të kompanisë “Cenaj”, i cili vazhdon se shteti shqiptar duhet të kryejë disa procedura ligjore për sjelljen e parave në Shqipëri. Ai thotë se drejtësia greke ka vendosur sekuestrimin e parave në mënyrë të jashtëligjshme, pasi “pasuria” e tij faktikisht është e kreditorëve shqiptarë. Duket se kjo prokurë, sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, do të përdoret në javët në vazhdim në Greqi, ku shteti shqiptar do të përfaqësohet në Gjykatën e Athinës për të kërkuar tetë milionë dollarët që u përkasin kreditorëve shqiptarë. Një delegacion shtetëror shqiptar ka zhvilluar në Athinë takime për të marrë informacione për paratë e kompanisë “Cenaj”, të transferuara në Greqi dhe të bllokuara në bankat e atij vendi. Pala shqiptare tha se kjo procedurë më në fund ka shkuar në dyert e Gjykatës së Athinës, e cila është organi kompetent për të vendosur nëse këto para do të mund të kthehen apo jo në Shqipëri.
#