E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen nga Greqia për të vrarë të dashurin e motrës

Konflikti Policia e Tiranës shpall në kërkim Artur Lleshin. Gëzim Marku u vra me një plumb në ambientet e një lokali

Ka vrarë të dashurin e motrës, pasi familja nuk ishte dakord për zgjedhjen që ajo kishte bërë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21.15 minuta në Tiranë, kur autori, viktima dhe gruaja qëndronin në një lokal në rrugën “Don Bosko”. Artur Lleshi ka qëlluar mbi të dashurin e motrës, Gëzim Markun, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka gjetur aty motrën e autorit, njëkohësisht e dashura e viktimës, më të cilën bashkëjetonte dhe që ka rrëfyer ngjarjen. Sipas të dhënave të policisë së kryeqytetit, Artur Lleshi, bashkë me motrën dhe të dashurin e saj Gëzim Markun, ishin ulur aty rreth orës 20.00 dhe kishin nisur të diskutojnë mbi problemet për lidhjen e tyre. Meqë nuk donin që debati të merrej vesh nga pjesëtarët e tjerë të familjes, ata ishin ulur në një lokal për të diskutuar. Por debati është ashpërsuar, pasi Lleshi nuk pranonte lidhjen e motrës me Markun. Në këto kushte, 23-vjeçari Lleshi ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj Markut. Menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të pranishmit në lokal kanë mbetur të shtangur. Ai ka kërkuar të marrë edhe motrën me vete, por ajo ia ka plasur të qarit. Policia, e mbërritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe të shkurtër, pasi lokali ku ndodhi krimi ishte te rruga “Don Bosko”, pranë kthesës që të çon te Spitali Ushtarak, ka shoqëruar gruan e gjetur në vendin e ngjarjes. Viktima ishte shtrirë në lokal dhe menjëherë është dërguar për në morgun e Tiranës, për kryerjen e ekspertizës. Policia tha se gruaja ka treguar gjithë historinë dhe vëllai i saj është shpallur në kërkim policor. Sipas dëshmisë së saj, Marku ishte i martuar dhe kishte fëmijë. Kohët e fundit ishte njohur me vajzën, për të cilën kishte lënë familjen dhe kishte ardhur për të bashkëjetuar me të në Tiranë. Familja e vajzës nuk ka qenë dakord, kështu që për të prishur këtë, vëllai ka ardhur nga Greqia në Tiranë. Meqë, çifti nuk pranonte të ndahej, atëherë, Lleshi ka qëlluar ndaj Markut, duke e lënë të vdekur. Policia tha se për kapjen e tij ka vënë në dispozicion 5 mijë euro. Sipas të dhënave, kush ka informacion mbi këtë person mund të telefonojë në polici. Postblloqe të ndryshme janë ngritur në disa pika të Tiranës dhe mendohet se ai është larguar me një mjet të paidentifi - kuar. Sipas të dhënave policore, po punohet për kapjen e tij. Uniformat blu thanë se gjatë orëve të vona të natës janë bërë disa shoqërime, ndërkohë që uniformat blu kanë kryer kontrolle edhe në banesën e të shpallurit në kërkim për veprën penale të vrasjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›