E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni Triss, verifikohet pasuria e të arrestuarve

Prokuroria Gati kontrolli i banesës ndaj të pandehurve

Bashkëpunimi midis Shqipërisë, Gjermanisë dhe Kosovës ka arritur të zbardhë një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut të narkotikëve, ndërsa ka dyshime se qindra mijëra euro të fituara nga ky aktivitet i paligjshëm, investohej në prona të paluajtshme. Në kohë rekord, Prokuroria e Tiranës ka filluar verifikimet për pasurinë ndaj pesë të pandehurve: Altin Dani, Dhimitri Rrapi, Ilia Bregu, Meliha Gjuzi dhe Ardit Dusha. Krahas dokumentacionit të drejtuar bankave të niveleve të dyta dhe zyrave të regjistrimit të pronave të paluajtshme, prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës edhe kontrollin e banesave të të pandehurve në Shqipëri, pasi dyshohet se mund të kenë prova për procedimin penal të hapur në Gjermani e Shqipëri. Ka dyshime se këta persona kanë vlera të mëdha monetare, ndërsa kohët e fundit kishin shfaqur interes edhe për të blerë pasuri të paluajtshme. Megjithatë, ardhja e dokumentacioneve mund të shërbejë si indicie për hapjen e një hetimi. Sipas Policisë së Shtetit, Dani, Rrapi, Bregu, Gjyzi dhe Dusha akuzohen nga shteti gjerman për “prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” në kuadër të grupit kriminal. Përpos këtyre akuzave, prokuroria shqiptare po verifikon edhe lëvizjet e vlerave monetare nga ky grup dhe ka dyshime se ato mund të jenë investuar në Shqipëri. Në këtë rast, prokuroria shqiptare mund të hapë hetimet për “pastrim parash” dhe të pandehurit në Gjermani duhet të deklarojnë para drejtësisë prejardhjen e pasurive që kanë.

Policia e Tiranës tha disa ditë më parë, se gjatë operacionit të koduar “Triss”, u arrestua Meliha Gjuzi, 46 vjeçe. Bëhet fjalë për një hetim të nisur që në Gjermani dhe që më pas, emrat e disa të dyshuarve kanë rezultuar edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave policore, Gjuzi, me profesion rrobaqepëse, që punonte pas Ministrisë së Drejtësisë, ka qenë personi i kontaktit për të gjithë të arrestuarit në Tiranë, pasi burri i saj drejtonte trafikun e drogës në Gjermani. Gjuzi, sipas akuzës, ka qenë ndërmjetëse për trafikun e drogës, ku ka lidhur bashkëshortin e saj me disa grupe trafikantësh shqiptarë. Në Gjermani janë kapur Dhimitri Rapi, Ilia Bregu, Gëzim Hasandocaj, Leonard Brunga, Iljan Zeka, dhe Faruk Istrefi. Të gjithë këta persona dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Kreu i Policisë së kryeqytetit, Vocaj, tha disa ditë më parë, se grupi drejtohej nga Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›