E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Kryeministri kërkon reformim të Forcave të Armatosura

Komiteti Ndërministror i Integrimit në NATO miratoi gjatë mbledhjes së djeshme programin kombëtar të masave dhe reformave të rëndësishme që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësim për periudhën deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Një ndër këto detyra do të jetë reformimi i Forcave të Armatosura. Duke vlerësuar punën e deritanishme, Kryeministri Berisha tha se “arritje serioze janë shënuar në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën për funksionimin më normal të ekonomisë së tregut, por nga ana tjetër, dua të theksoj se këto arritje nuk mund të konsiderohen ndryshe, veçse një stacion ndaj ne duhet të synojmë me të gjitha përpjekjet tona për të thelluar dhe konsoliduar rezultatet e arritura, për të proceduar me reforma të thella dhe të gjithanshme në mënyrë që në Shqipëri të konsolidohet shteti ligjor, të konsolidohen standardet e vendeve aleate”. Në këtë kontekst, Kryeministri e cilësoi reformimin e Forcave të Armatosura si një aspekt shumë të rëndësishëm të këtyre reformave. “Arritjet janë të mëdha, por detyrimet janë akoma më të mëdha. Është e vërtetë që ne kemi përcaktuar një buxhet prej 2% të GDP-së për mbrojtjen, por është e vërtetë se akoma nuk është zgjidhur problemi i rrogave, një kusht themelor për të pasur ushtri profesioniste në vitin 2010, siç jemi zotuar”, - u shpreh Kryeministri. “Përpjekje më të mëdha, - vijoi më tej Kryeministri Berisha, - duhet të bëhen për trajnimin, kualifikimin dhe pajisjen e Forcave tona të Armatosura veçanërisht atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat do të ndërmarrin misione në vendet e huaja”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›