Të pastrehët në xhami shkelën rregullat e fesë
BULQIZE/ HASAN PASHA
U strehuan në xhaminë e qytetit të Bulqizës për 4 javë, por për 15 familjet e pastreha nuk ka një zgjidhje dhe pse kanë kaluar 4 muaj. Dhe pse në fillim u ra dakord që banorët do të respektonin kushtet e fesë dhe të myftinisë, duket se rregullat janë shkelur. Të detyruar të qëndrojnë në konviktin e xhamisë, prej ditës kur i nxorën prej pallatit të tyre nga frika e shembjes, disa prej tyre nuk i kanë rezistuar tundimeve. Përfaqësues të xhamisë, të cilët nuk duan të prononcohen me emër, thonë se kanë gjetur brenda dhe jashtë objektit fetar shishe të ndryshme, që konfirmojnë dyshimet për përdorimin e pijeve të ndaluara. Por ky është një ndër problemet që haset gjatë periudhës së gjatë të qëndrimit të banorëve të pastrehë. Ankesat e njerëzve të fesë në Bulqizë vazhdojnë me faktin se përreth godinës janë hedhur mbeturina të ndryshme nga familjarë, pasi nuk është treguar kujdesi i duhur në mbajtjen pastër të objektit fetar. Prej tyre mësohet se disa herë myftinia Bulqizë i ka kërkuar bashkisë të mbajë fjalën e dhënë për lëvizjen e këtyre familjeve nga xhamia, por kjo nuk ka ndodhur. “Kemi kontaktuar me vendorët dhe u kemi shprehur shqetësimin tonë, se shumë nga familjarët nuk i kanë zbatuar rregullat e kërkuara nga ana jonë. Kemi gjetur shishe në mjediset e brendshme dhe të jashtme të xhamisë, ç’ka do të thotë se ka individë që konsumojnë pije të ndaluara në objektin e kultit fetar. Ndërkohë në dy muaj këto familje kanë konsumuar afro 3 milionë lekë energji elektrike për t’u ngrohur”, pohojnë burimet nga xhamia e Bulqizës. Listës së gjatë të problemeve të hasur dhe arsyeve pse kërkohet lirimi i xhamisë, i shtohet dhe fakti se së shpejti këtu nisin kurset e ndryshme. Të 56 banorët u vendosën këtu më 16 janar të këtij viti, kohë kur policia e rendit dhe ajo bashkiake i nxorën me dhunë nga pallati ku qëndronin, pasi ai rrezikonte shembjen. Nëse në ato ditë të vështira dimri pati një interesim të strukturave të shtetit, aktualisht askush nuk kujdeset për strehimin, ushqyerjen dhe jetën e këtyre banorëve fatkeq. Xhamia e qytetit hapi dyert asokohe për të strehuar për një muaj familjet, deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Myftiu i qytetit u premtoi drejtuesve të pushtetit lokal dhe familjarëve se xhamia do t’i strehonte 15 familjet për një muaj, kohë kjo e mjaftueshme që bashkia dhe qeveria të mundësonte strehimin e tyre në një objekt tjetër. Vetëm një ditë pas boshatisjes së pallatit u premtua se të pastrehët do të sistemoheshin në një objekt shtetëror, në Qytetin e Vjetër të Bulqizës.
Shazimete Dani, një grua rreth të 70-ve ngre zërin e shprehet se ajo dhe familjet e tjera jetojnë në kushte mjaft të rënda. “Jemi dy kurorë në një dhomë. Fëmijët janë të vegjël e nuk kanë as kushtet më minimale për jetesë. Na premtuan se do të na sistemonin në kompleksin e minierës. Kështu u tha dy-tri ditët e para pas shembjes së pallatit, ndërkohë prej muajsh askush nuk do t’ia dijë për hallin tonë. Në fillim na dhanë ca ndihma, ndërkohë tani po vuajmë për copën e bukës. Burrat kërkojnë të gjejnë ndonjë punë. Sigurojnë ndonjë ditë 5 mijë lekë të vjetra dhe me ato para blejmë bukën apo ushqimet e ditës”, thotë ajo. Lindita Boduri shprehet se tani gjendja është bërë e patolerueshme. E shqetësuar se askush nuk po merret me zgjidhjen e shqetësimit të këtyre familjeve, ajo guxon të thotë se tani pallati po shembet dhe se një njeri i rëndësishëm në këtë qytet e ka privatizuar pallatin dhe do ta kthejë atë në disko. Në këto momente ndërhyn bashkëshorti i saj dhe e qorton të mos e përsërisë emrin e politikanit. “E shihni në ç’kushte jetojmë? Të gjitha lajmë në një banjë. Për ujë të nxehtë nuk bëhet fjalë. Jemi detyruar të marrim borxh tek njerëzit tanë. Nëse nuk mbahet premtimi për të na sistemuar, atëherë ne jemi të vendosur të mos votojmë më 28 qershor. Ne falënderojmë xhaminë e qytetit që na është gjetur pranë në këto momente të vështira”.