E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen “shefat” e fabrikës së Gërdecit

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykata e Lartë pritet të hapë brenda dhjetë ditësh shqyrtimin gjyqësor të dosjes “Gërdeci”. Seanca e parë është caktuar të mbahet më 4 maj 2009. Në vazhdim të procesit pritet të administrohen në sallën e gjyqit deklarimet e 490 dëshmitarëve të akuzës. Burimet zyrtare konfirmojnë se ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, është në listën e dëshmitarëve. Në sallën e gjyqit atij pritet t’i kërkohen sqarime për mënyrën se si Ministria e Drejtësisë trajtoi projektvendimet e Qeverisë të përgatitura nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo e fundit i ka dërguar “për mendim” në Ministrinë e Drejtësisë projekt-VKM-në që i hapi rrugë aktivitetit të demontimit të municioneve në Gërdec. Ministria e Drejtësisë në kohën kur drejtohej nga Aldo Bumçi, ka miratuar projektvendimin e Ministrisë së Mbrojtjes, që më pas shkoi në qeveri dhe u miratua me ndryshime të pjesshme. Një tjetër dëshmitar i rëndësishëm mësohet se është biznesmeni Rrahman Selmanllari. Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë, ky person ka qenë i pranishëm në ish-repartin e Gërdecit në momente të rëndësishme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Megjithatë duket se procesi në Gjykatën e Lartë përmban episode dhe ngjarje të pathëna asnjëherë më parë, të cilat lidhen me ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008. Atë ditë 26 persona gjetën vdekjen si pasojë e shpërthimit në fabrikën e çmontimit të predhave e fishekëve. Mbi 300 të tjerë u plagosën, ndërsa rreth 3 mijë banesa pësuan dëmtime. Një numër biznesesh, shkollash e ambulancash të ndodhura në zonë, u dëmtuan nga goditja.
Punonjësit “misteriozë”
Rreth 123 persona në listën me 490 dëshmitarë të akuzës, janë punonjës të kompanisë “Albademil” që kryenin demontimin e predhave e fishekëve. Këta dëshmitarë janë pyetur gjatë fazës së hetimit dhe kanë pohuar se në Gërdec ka vepruar edhe një grup prej 6-8 personash. Dëshmitarët kanë treguar me emra personat në fjalë, ndërsa ata nuk janë gjetur në listën e kompanisë “Albademil”, madje as në borderonë e saj. Pasi u vu në dijeni të këtij fakti, Prokuroria verifikoi në lidhje me personat apo kompaninë që i paguante “punonjësit misteriozë”. I vetmi rezultat i këtij verifikimi ishte konfirmimi se ky grup njerëzish nuk ndodhej në listën e të punësuarve të kompanisë “Albademil” në pronësi të Mihal Delijorgjit. Personat në fjalë nuk ishin punësuar nga kompania e Delijorgjit, madje nuk paguheshin prej saj. Megjithatë, dëshmitarët kanë treguar konkretisht se këta persona kanë qenë të pranishëm pothuajse gjithmonë në ambientet e fabrikës së demontimit. Disa prej këtij grupi mësohet se janë shfaqur në Gërdec që ditën e parë, në prill 2007, kur aty nisën punimet për shembjen e ish-repartit të tankeve dhe ngritjen e fabrikës ku do të demontoheshin fishekët dhe predhat. Dëshmitarët e akuzës, persona të punësuar nga Mihal Delijorgji, të gjendur në borderotë e kompanisë “Albademil”, pasi paguheshin për punën që kryenin, kanë pohuar se grupi i punonjësve që nuk është gjendur në bordero, shpeshherë ishte parë të kërkonte llogari edhe nga vetë drejtori ekzekutiv i fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli. Më qartësisht roli i këtyre personave misteriozë pritet të sqarohet gjatë gjykimit të çështjes, kur ata pritet të thirren në sallën e gjyqit dhe të ballafaqohen me dëshmitarët që pohojnë praninë e tyre në Gërdec dhe dijeninë që ata kanë pasur për shkeljen e rregullave të sigurisë gjatë demontimit të municioneve.

Gjyqi i Gërdecit, në pyetje 490 dëshmitarë
Më shumë se 490 persona pritet të thirren si dëshmitarë në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit. Shumica prej tyre, mbi 120 persona, janë ish-punonjës të çmontimit ndërsa të tjerët janë zyrtarë shtetërorë, banorë të zonës dhe persona me dijeni për rrethanat e ngjarjes. Pyetja e tyre në gjykatë mësohet se do të bëhet edhe me anë të ballafaqimit me të pandehurit.

Dosje në hetim për trafikun dhe korrupsionin
Një tjetër dosje e mbajtur në hetim nga Prokuroria është ajo që lidhet me trafikun e armëve ndërsa procedimi tjetër i veçuar bën fjalë për korrupsionin e mundshëm në trajtimin e armëve dhe municioneve shqiptare. Në këto dy procedime, prokuroria është duke mbledhur provat dhe duke hetuar paralelisht mbi indicet e dala gjatë hulumtimit të ngjarjes së ndodhur në ish-repartin e Gërdecit.

“Punëtorët hije”, një dosje mbahet në hetim

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur në hetim një dosje të veçantë për grupin hije të Gërdecit. Këta persona rezultuan se kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, ditën kur ka ndodhur shpërthimi, por edhe më parë, kohë para tragjedisë. Disa prej personave që bëjnë pjesë në “grupin hije” janë thirrur në Prokurori dhe janë marrë në pyetje gjatë hetimeve për dosjen që shkoi në Gjykatën e Lartë. Ata kanë mohuar të kishin dijeni për çështjen, ndërsa ky pohim i tyre është elementi bazë mbi të cilin mund të ngrihet akuzë për dëshmi të rreme. Përkundër pohimeve që kanë bërë disa nga anëtarët e “grupit hije”, në dosjen e dërguar në Gjykatën e Lartë por edhe në procedimin e ndarë që është mbajtur në hetim, duket se ka prova që flasin për të kundërtën. “Një përgjegjës i kompanisë së Mihal Delijorgjit, “Albademil”, e cila kryente çmontimin në Gërdec, ka dëshmuar se ditën e tragjedisë, më 15 mars 2008, ka qenë me dy nga personazhet e “grupit hije”. Ai ka thënë se kur ndodhi shpërthimi, ai bashkë me dy personat e tjerë, janë hedhur nga dritarja për të dalë nga zyrat që po shembeshin si pasojë e eksplozionit”, thanë burimet. Sipas tyre, mësohet se biznesmeni Rrahman Selmanllari ishte përfaqësues i kompanisë amerikane SAC, e cila kishte 25 për qind të aksioneve në firmën “Albademil” që kryente demontimin e municioneve në Gërdec. Duke qenë se shefi i kësaj kompanie amerikani Patrick Henry nuk kishte mundësi të ishte i pranishëm në Gërdec, në pjesën më të madhe të rasteve besohet se aty qëndronte përfaqësuesi i tij, biznesmeni Rrahman Selmanllari. Ky i fundit siç tregojnë edhe dokumentet e gjetura nga Prokuroria, mësohet se ishte pajisur me autorizim nga kompania amerikane SAC për përfaqësimin e saj në aktivitetin e kryer në Gërdec. Të dyshuarit kanë mohuar çdo implikim në këtë çështje dhe çdo dijeni mbi atë që ndodhte në ish-repartin e tankeve ku ndodhi tragjedia.

Neni 80 i K.Pr.Penale: Kompetente Gjykata e Lartë
Akuza: Dosja “Gërdeci” s’ndahet, kompetenca në Gjykatën e Lartë

TIRANE – Organi qendror i akuzës tha dje se mundësia e ndarjes së dosjes “Gërdeci” nuk qëndron për shkak se në ligj është përcaktuar qartë kompetenca e shqyrtimit. Duke iu referuar nenit 80 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria tha se në rastet kur në një dosje penale akuzohen persona me imunitet në bashkëpunim me persona që zakonisht gjykohen në Gjykatën e Faktit, kompetencën e shqyrtimit e merr Gjykata e Lartë. Argumenti i Prokurorisë erdhi pas diskutimeve mbi mundësinë që Gjykata e Lartë të dërgojë në gjykatën e rrethit Tiranë aktet në ngarkim të të pandehurve të tjerë të dosjes dhe të mbajë për shqyrtim vetëm pjesën që bën fjalë për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, person me imunitet të kufizuar. Sipas ligjit, kompetencën e gjykimit në themel ndaj personave me imunitet e ka Gjykata e Lartë. Prokuroria tha se 27 të pandehurit e tjerë në dosje, akuzohen se e kanë kryer veprën penale në bashkëpunim me ish-ministrin Mediu. Ky sipas akuzës është një tjetër argument ligjor dhe procedurial për shqyrtimin e akteve në Gjykatën e Lartë. Në këtë institucion, që më 13 mars 2009 është dorëzuar dosja penale për tragjedinë e Gërdecit. Prokuroria ngriti akuzë ndaj 28 personave si dhe ndaj kompanisë “Albademil” si person juridik. Kompania në pronësi të Mihal Delijorgjit, sipas prokurorisë, ishte aktori kryesor në ngjarjen e Gërdecit, pasi inicioi dhe ndërtoi një proces demontimi për fishekët dhe predhat në shkelje të hapur të kushteve dhe rregullave të sigurisë. Organi i akuzës ka theksuar në dosjen e dërguar në Gjykatë, se me dashje, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari, dhe biznesmeni Mihal Delijorgji bashkë me drejtorin e fabrikës Dritan Minxolli, kryen demontimin në shkelje të rregullave të sigurisë me rrezik për jetën e njerëzve.                             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›