Kanceri i mitrës, 300 raste të reja në vit
Gjysma e pacientëve vdesin për shkak të kapjes së vonë të sëmundjes. Moshat më të prekura janë gratë mbi 40 vjeçe. Këshillat e mjekëve si të mbrohemi në kohë nga sëmundja vdekjeprurëse
Jonida Tashi
Numri i grave me kancer në qafën e mitrës po rritet me ritme të shpejta në vendin tonë. Autoritetet shëndetësore flasin për rreth 300 raste të reja në vit dhe më të prekura janë gratë mbi 40 vjeçe, ku intensiteti më i lartë vihet re në moshat mbi 45-49 vjeç. Këto shifra e rendisin Shqipërinë si vendi me vdekshmërinë më të lartë nga kjo sëmundje, pasi çdo vit vdesin 140 gra nga ky kancer. Duke marrë shkas nga kjo situatë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, bashkë me kreun e Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, kanë organizuar dje një fushatë sensibilizuese, qëllimi i së cilës është informimi i publikut të gjerë dhe grave në veçanti sesi mund t’u dalin përpara të këqijave shëndetësore që mund të kthehen në fatale. “Shifrat flasin vetë, qoftë ato optimiste dhe qoftë ato që na bëjnë të ndiejmë rrezik. Optimiste është, sepse kapja e hershme e një patologjie të tillë në një pjesë dërrmuese të rasteve do të thotë shërim, ndërsa në anën tjetër, nënvlerësimi do të thotë rrezikim dhe humbje jete. Ne kemi në Shqipëri, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Kancerit në Lion, afërsisht rreth 300 raste të reja në vit dhe më të prekura gratë në moshën mbi 40 vjeç, ku intensiteti më i lartë vihet re në moshat mbi 45-49 vjeç. Shifra të tilla flasin vetë”, - ka pohuar ministri Vasili. Të njëjtin apel për një diagnostikim të hershëm ka përcjellë dhe kreu i Institutit të Shëndetit Publi, Enver Roshi. “Mjafton bërja e një pap-testi ose një ekzaminim rutinë. Do të thotë që 90 për qind e grave të kapen herët dhe të trajtohet. Ne do të kalojmë nga ajo epidemiologjia klasike, në epidemiologjinë e parandalimit parësor”, - tha Enver Rroshi. Përtej vendit tonë, bëhet fjalë për një kancer që në botë diagnostikon rreth 500 mijë raste të reja dhe ku në rastet e diagnostikimit të vonshëm të tyre, gjysma e këtij kontingjenti humb jetën. Pra, bëhet fjalë për shifra të mëdha. Europa si rajon regjistron rreth 60 mijë raste të reja me përqindje të lartë vdekshmërie, pasi gjysma e këtyre rasteve humbin jetën. Sipas ministrit të Shëndetësisë, sensibilizimi nuk është thjesht dhe vetëm dhënia e disa këshillave mjekësore të dobishme. Në këtë rast bëhet fjalë për këshilla mjekësore shumë të domosdoshme, që detyrojnë çdo njeri që i kupton të sillet me përgjegjësinë e duhur, sepse në rastin konkret shërbimi shëndetësor ofron sistem këshillimi dhe edukimi shëndetësor, si dhe asistencë mjekësore që mundëson, që në momentin që kjo dedektohet shpejt, të kemi gra që shërohen plotësisht dhe që mund të vazhdojnë të qeta jetën e tyre në të mirë të vetes dhe familjes së tyre.
140 gra vdesin çdo vit nga kanceri i qafës së mitrës në vendin tonë, për shkak të diagnostikimit dhe kurimit të vonshëm të sëmundjes, duke e bërë atë të pashërueshme
40 vjeç e sipër janë moshat më të prekura nga kanceri i qafës së mitrës, ku intensiteti më i lartë, sipas specialistëve të shëndetit publik, vihet re në moshat mbi 45-49 vjeç