E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriteri i gjuhës angleze, ende i paqartë

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-01-2011 12:06

Ndërsa përsa i përket kushtit të gjuhës angleze, që sipas Ligjit të ri të Arsimit të Lartë do të jetë një ndër kriteret e pranimit dhe përfundimit të studimeve pasuniversitare, qofshin ato të ciklit të dytë apo të tretë, ende nuk ka një vendim të prerë për këtë çështje. Kështu, mjaft universitete i kanë pranuar studentët në studimet e ciklit të dytë, ku përfshihen Masteri Profesional dhe Masteri Shkencor, pa plotësuar kushtin e anglishtes, me arsyetimin se ai duhet të përmbushet në përfundim të studimeve, ndërkohë që duket se e njëjta gjë do të ndodhë edhe për studimet e Doktoratës. Universitetet kanë nxjerrë vendime të ndryshme për kushtin e anglishtes, ndërsa ende nuk dihet se si do të procedohet më tej. Më konkretisht, drejtuesit e Filologjikut bëjnë të ditur se “lidhur me gjuhën e huaj, do të ketë një komunikim të dytë, bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë, udhëzimet e MASH-it dhe të UT-së”. Ndërsa Universiteti Bujqësor ka sqaruar se nevojitet dëshmia e gjuhës angleze (ose kopje e noterizuar e saj) e lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Ndërsa pas përfundimit të ciklit njëvjeçar të Studimeve të Thelluara Teorike në PhD, kandidati duhet të paraqesë dëshminë për mbrojtjen e gjuhës angleze në nivelet TOEFL, IBT etj. Universiteti i Durrësit ka përcaktuar se njohja e gjuhës angleze në nivelin e përdorimit si gjuhë pune është domosdoshmëri dhe kriter skualifikues. Testimi për këtë do të bëhet brenda Universitetit të Durrësit, ndërkohë që në fund të vitit të parë akademik studenti duhet të ketë dhënë TOEFL me rezultatin jo më pak 525 pikë paper based (ose ekuivalentin me të).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›