E Diel, 1 Nëntor 2026

Mënyrat që ju mbrojnë nga sëmundja

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-01-2011 12:11

Çdo femër duhet të kryejë një vizitë rutinë të paktën 1 herë në vit te gjinekologu, pavarësisht se nuk ka shqetësime

Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje e rrezikshme dhe shpeshherë fatale. Për këtë arsye, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë përgatitur një paketë këshillash ku tregohen mënyrat që ju mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës. Kështu, çdo femër duhet të kryejë një vizitë rutinë të paktën 1 herë në vit te gjinekologu, pavarësisht se nuk ka shqetësime. Vaksina kundër virusit që shkakton kancerin e qafës së mitrës (HPV) ju mbron nga infektimi me këtë virus, i cili është shkaktari më i shpeshtë i kancerit të qafës së mitrës. Mosha e rekomanduar për bërjen e vaksinës është mbi 10 vjeç e ndarë në tri doza. Doza e parë bëhet në çdo moment, e dyta mbas 1 muaji dhe e treta mbas 6 muajve. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të qafës së mitrës, por nuk eliminon nevojën e bërjes së pap-testit. Pap-testi është një test që bëhet për të parë nëse keni apo jo kancer të qafës së mitrës. Pap-testi është një test i thjeshtë, i shpejtë, i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por ju shpëton jetën! Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rekomandohet: të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë rregullisht pap-testin çdo 1 deri 3 vjet, sipas këshillave të mjekut specialist. Vizita te gjinekologu, vaksinimi dhe bërja rregullisht e pap-testit ju mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës. Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Ai është një nga kanceret më të shpeshtë te femrat dhe takohet sidomos te femrat rreth moshës 40 vjeç. Kanceri i qafës së mitrës është i dyti pas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në pjesën më të madhe të rasteve, kanceri i qafës së mitrës kapet në faza shumë të avancuara. Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është virusi i Papilomës njerëzore ose HPV. Ka më shumë se 100 tipe virusesh të HPV, por një pjesë prej tyre janë viruse me rrezikshmëri të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV është një virus që mbetet i fshehur në organizëm pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale. Infeksioni nga HPV është më i zakonshëm në grup moshat e reja, të cilat janë seksualisht aktive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›