E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i zorrës së trashë, i trashëgueshëm

Studimet e mëparshme kanë treguar se nëse një pjesëtar i familjes ka vuajtur nga kanceri i zorrës së trashë, nga kjo sëmundje mund të preken edhe të tjerë brenda familjes. Por studimet rreth këtij problemi tani tregojnë se shanset për shmangien e vdekjes nga kanceri i zorrës së trashë janë më të mira për një person që në familjen e tij ka pasur ose ka të afërm me këtë lloj sëmundjeje.

Kjo duket e paarsyeshme, jashtë logjikës, por një studim i kohëve të fundit tregon se njerëzit me një histori familjare të kancerit të zorrës së trashë kanë më pak gjasa të vdesin nga kjo sëmundje ose që kjo sëmundje të rishfaqet. Dhe gjasat e tyre janë më të mira sesa ato të personave që nuk kanë një histori me kancer të tillë në familje.

Mjekja Xhenifer Çan kryesoi një grup shkencëtarësh që analizuan mbi 1 mijë pacientë me kancer në zorrën e trashë. 80 për qind e tyre kishin një të afërm të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Rezultati kryesor ishte se gjendja e këtyre pacientëve ishte përmirësuar. Shkencëtarët i vëzhguan ata për 8 vjet. Gjatë kësaj periudhe, një numër prej tyre iu nënshtrua edhe operacionit për heqjen e kancerit. Rezultatet përsëri treguan se tek pacientët me histori kanceri në familjet e tyre, niveli i rishfaqjes së kancerit pas operimit, ra 25 për qind. Mjekja Çan thotë se këto rezultate janë befasuese. Ajo përpiqet t’i shpjegojë duke thënë se në këtë rast një faktor mund të jetë edhe ndryshimi në përbërjen molekulare të kancerit, pra që pacienti trashëgon gjenin i cili shton rrezikun e prekjes nga kanceri, por njëkohësisht ndikon edhe në sjelljen biologjike apo ecurinë e sëmundjes dhe zvogëlon mundësinë e saj për t’u rikthyer.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›