Trafiku i drogës Shqipëri-Mali i Zi, arrestohen 3 shqiptarë
Dy shqiptarë dhe një kosovar janë arrestuar nga policia malazeze, pasi akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike” nga Shqipëria në Mali të Zi. Në prangat e policisë malazeze në Tuz ka përfunduar Erand Dulaj, Albert Gjonaj nga Shqipëria dhe Prenë Thaçi nga Prizreni, me banim në Osjek. Sipas zëdhënëses së drejtorisë së policisë malazeze, Tamara Popoviç, tre trafikantët nëpërmjet pikës kufitare të Hanit të Hotit kanë tentuar të fusin në Malin e Zi 5 kilogramë heroinë. Droga ishte fshehur në gomën rezervë të veturës “Mercedez”, me të cilën udhëtonin të ndaluarit. Të arrestuarit së bashku me kallëzimin penal iu dorëzuan gjykatësit hetues në Gjyqin e Lartë në Podgoricë. Policia malazeze ka nisur bashkëpunimin me palën shqiptare për të hedhur dritë mbi këtë linjë trafiku, ndërkohë që së bashku me drogën dhe makinën, ka sekuestruar edhe telefonat celularë të tre shtetasve të vënë në pranga. Me anë të tabulateve të përgjimeve telefonike, policia malazeze shpreson të arrijë në emrat e bashkëpunëtorëve shqiptarë, kosovarë dhe malazezë të përfshirë në këtë trafik, si dhe të hedhë dritë mbi destinacionin përfundimtar të lëndës narkotike, të llojit heroinë, nëse ishte për tregun vendas apo për t’u kaluar nëpërmjet Malit të Zi për në vendet perëndimore. Ndërkohë që tre shtetasit Dulaj, Gjonaj e Thaçi i janë nënshtruar një seancë marrjesh në pyetje nga hetuesit në Podgoricë, për të mësuar më shumë rreth sasisë së heroinës të kapur në automjetin e tre shqiptarëve.
Detaj
5 kg heroinë, e fshehur në gomën rezervë, u kap dje nga policia malazeze
3 shtetas janë vënë në pranga, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës