E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusmali: PD, program të veçantë për komunitetin rom

Kandidatët e PD-së, në qarkun e Tiranës, Ilir Rusmali, Viktor Gumi dhe Arben Qirjako kanë zhvilluar një takim elektoral me komunitetin rom në njësinë Nr. 4 në Tiranë. Gjatë këtij takimi ata kanë premtuar se gjatë mandatit të dytë, qeveria do të ketë gati një ligj të veçantë kundër diskriminimit të romëve dhe se do të miratojë kuotat për punësimin e tyre në sektorët më të rëndësishëm të vendit. Kandidatët e PD-së deklaruan se Partia Demokratike ka në programin e saj praktika të qarta arsimore, punësimi dhe mirëedukimi profesional për komunitetin rom. Ne i duam romët që të jenë të shkolluar dhe njëherazi të punësuar njësoj si gjithë të tjerët. Ndaj, ne kemi parashikuar një program të veçantë dhe angazhime konkrete  për komunitetin rom. Kundërshtari ynë politik dhe kryebashkiaku as që e ka mendjen tek ju. Madje më e keqja është se ai ka ushtruar dhunë sistematike ndaj komunitetit tuaj, u shpreh Rusmaili. Ndër të tjera duke u ndalur tek lista e deputetëve të kësaj force politike, ka theksuar se kryesuesi i saj për qarkun e Tiranës është Sali Berisha, që sipas tij do të jetë sërish kryeministri i vendit. Në takimin me komunitetin rom, kandidatët e Partisë Demokratike deklaruan se do të krijohet një autoritet i pavarur me fuqi të plotë ndëshkimore për çdo lloj forme diskriminimi të komunitetit rom. Ndëshkim do të ketë edhe për punëdhënësit që nuk paguajnë sigurimet shoqërore, deklaroi kandidati për deputet në Tiranë, Viktor Gumi. Ndërkohë kandidatët për deputetë të koalicionit të djathtë për qarkun e Beratit, Genc Pollo, Mehmet Xheka, Lefter Maliqi, Thoma Rrumniçi kanë marrë pjesë në inaugurimin e punimeve në urën e Goricës, drejt fshatit Sinjë, ku afati i përfundimit të saj është 8 muaj dhe nga ndërtimi i saj përfitojnë 16 mijë banorë. Pas prerjes së shiritit të inaugurimit, kandidati i PD-së në qarkun e Beratit Genc Pollo u shpreh në fjalën e tij se Berati i lashtësisë dhe i historisë, do të jetë padyshim edhe Berati i demokracisë, pasi e majta, pas rebelimit të 97-ës, e ka zhgënjyer elektoratin e saj. Ndërsa sot, për Beratin e UNESCO-s, kemi një projekt gjigant në hyrje të qytetit, rruga 2.4 km me vlerë 6 mln Euro, ura mbi Osum pranë Velabishtit, 2 mln euro, është oguri më i mirë dhe shenja e pamohueshme se Boshti i Jugut, e ka tashmë origjinën, u shpreh Pollo. Duke shprehur sigurinë në fitoren e PD-së, zv/kryeministri Pollo ftoi edhe zgjedhësit e kësaj zone, të japin votën e tyre për përfundimin e aksionit kombëtar, prej të cilit do të përfitojë edhe Berati. Presim verdiktin final real dhe objektiv të popullit për të na ribesuar, pas premtimeve të mbajtura, për të përfunduar aksin kombëtar, i cili do të jetë edhe mjaft ekonomik për zonën e Beratit, me një vlerë prej rreth 500 mln euro dhe që do të ndikojë dukshëm në rritjen e nivelit të jetës dhe të zhvillimit të turizmit në qytetin 2400-vjeçar, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›