E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët kalojnë formalisht provimin e parë

Autori i Lajmit: red.
Dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë kalojnë provën e parë në Parlament. Dje Komisioni i Ligjeve zhvilloi seancën dëgjimore me 6 të dekretuarit nga Topi. Mbledhja kaloi me debate për mënyrën e procedimit duke nxjerrë në këtë mënyrë në pah problemet e para të zbatimit të Rregullores së Kuvendit. Pas diskutimeve, deputetëve vendosën të dëgjonin kandidatët të cilët bënë një prezantim formal të tyre. Por po kaq formal ishte dhe qëndrimi i anëtarëve të Komisionit të cilët nuk bënë pyetje. Përjashtim bëri deputeti Dashnor Sula i cili kërkoi shpjegime nga njëra prej kandidaturave, Evelina Qirjako nëse do linte zyrën e avokatisë pasi të zgjidhej në detyrën e re dhe kërkesa e Pandeli Majkos për të njohur kombësinë e kësaj kandidature. Pas këtij diskutimi, Komisioni vazhdoi mbledhjen me dyer të mbyllura. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha pas mbledhjes, se anëtarët thanë në parim votën pro për të 6 kandidaturat. Por Xhafaj nuk pëjashtoi suprizat duke paralajmëruar në këtë mënyrë dhe votat e mundshme kundër kandidatëve. Ndryshe nga Xhafaj, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Spartak Braho e konsideroi si dështim zbatimin e parë të Rregullores së Kuvendit. Sipas tij seanca e zhvilluar ishte një turp.
Seanca
Personat e dekretuar nga Topi si anëtarë të Gjykatës së Lartë janë prezantuar dje para Komisionit të Ligjeve. Por mbledhja ka nisur me debatin se si duhet të proçedohej për kandidaturat, duke i dëgjuar ata apo duke diskutuar. Përfaqësuesi i LSI-së, Spartak Braho vlerësoi si të padenjë procedurën që po ndiqej për ta. Reagimi i Brahos erdhi në përgjigje të paraqitjes së vlerësimeve të qytetarëve për kandidatët, nga kreu i komisionit, Fatos Beja. Ky fakt u kontestua edhe nga socialistët. Deputeti Fatmir Xhafaj vuri theksin në faktin që për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë ekzistojnë kritere të përcaktuara në ligj, çka përbën një vlerësim sipas tij që nuk mund ta japë kushdo. Ndërkohë deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi kundështoi propozimin e Bejës për raportimin individual të kandidatëve. Ai e konsideroi këtë procedurë si pranimet në Partinë e Punës. Pas diskutimeve formale, Komisioni Ligjeve miratoi në parim 6 dekretet. Pas mbledhjes deputeti i LSI-së Braho pohoi se seanca e zhvilluar ishte një seancë turpi me procedura aspak demokratike. “Dështoi e ashtuquajtura rregullore e cila bën të mundur që një trupë aspak kompetente siç është Komisioni Ligjeve, me deputetë mediokër, marrin gjoja në provim njerëz që tashmë Presidenti i ka dekretuar si anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe kanë integritet të lartë profesional”, - tha ai. Kjo sipas Brahos dëshmon edhe njëherë që kriza e paralajmëruar çon dhe në shfaqje të tilla të turpshme që venë në diskutim jo vetëm dekretet e Presidentit por edhe integritetin profesional dhe njerëzor të personaliteteve të rëndësishme të shtetit. Braho theksoi se LSI do të votojë të gjithë dekretet. Ndërsa Xhafaj pohoi se Komisioni ka arritur në përfundimin që të 6 kandidatët plotësojnë kriteret formale, kriteret kushtetuese dhe ligjore. “Ky është mendim i përbashkët dhe do të jetë pjesë e raportit. Së paku kështu u tha në komision, pasi këtu në Kuvend ka patur shumë çudira dhe unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë me zotin Beja kur të bëjë raportin”, - shtoi ai. 6 kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë janë Aleksandër Muskaj, Arjana Fullani, Andi Çeliku, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Majlinda Andrea.
S.Topi
Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›