Kandidatët për Akademinë e Shkencave: Na përjashtuan pa të drejtë
Kandidatët për t`u bërë anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave, nga fushat e shkencave sociale dhe ekonomisë kanë dërguar dje një letër të hapur drejtuar kryetarit të Komisionit për Reformimin e Akademisë së Shkencave, z. Genc Pollo, ku i kërkojnë rishikimin e eliminimit të tyre nga garimi. Sipas profesorëve Aurela Anastasi, Edmond Dragoti, Esmeralda Uruçi, Kosta Bajraba dhe Ilia Telo, vendimi për përjashtimin e këtyre fushave nga garimi përbën një shkelje të hapur të ligjit. “Një vendim për eliminimin e fushës, vetëm përpara garës finale, nuk mund të justifikohet me faktin se asnjë kandidat i kësaj fushe nuk përmbush kriteret. Në lidhje me këtë, çdo kandidat vlerësohet individualisht nga një komision ekspertësh të fushës përkatëse dhe jo nga organet drejtuese administrative të Akademisë së Shkencave, – thuhet në këtë letër të hapur. – Konkurrimi zhvillohet midis kandidatëve që kanë aplikuar dhe përzgjedhja kryhet nga radhët e tyre. Ne jemi vënë në dijeni se grupet e vlerësimit pranë seksioneve kanë bërë vlerësimet përkatëse, mbi bazën e recensentëve dhe kanë vendosur një klasifikim midis radhëve tona”. Kandidatët kanë kërkuar që të rishihet vendimi i Akademisë së Shkencave, të cilin ata e quajnë si një vendim të paligjshëm