E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundojnë punimet në Porto Romano, në janar nis funksionimi



Tashmë, pritet leja e shfrytëzimit nga KRRTRSH-ja

"Porti më i ri ofron siguri maksimale për biznesmenët”

Në ditët e para të muajit janar 2009, porti i Durrësit ( por edhe ai i Vlorës) do të ofrojë siguri maksimale, në kalatat e tij nuk do të përpunohen më anijet me gaz të lëngshëm. Ky proces do të realizohet vetëm në Porto Romano. Prej disa ditësh koncesionari “Romano Port” ka përfunduar punimet dhe është gati të nisë punën për përpunimin e anijeve të gazit, duke pritur lejen e shfrytëzimit të KRRTRSH-së për kalatën e re dhe moderne. Nga burimet e sigurta nga firma dhe Këshilli i Qarkut Durrës, mësohet se “leja zyrtare do të lëshohet në janarin e 2009-ës dhe sapo ajo të zbardhet, automatikisht në portin e Durrësit dhe të Vlorës nuk do të ankorohet asnjë anije me gaz, pasi këtë të drejtë e ka vetëm koncesionari. Një proces i tillë është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë qysh në vitin 2007. Prej vitesh gazi i lëngshëm, që mbetet një lëndë shumë e ndjeshme, përpunohet në dy portet më të mëdha të vendit tonë, Durrës e Vlorë, të cilat nuk kanë depozita për këtë lëndë, por anijet shkarkojnë në autobote. Po kështu, kjo lëndë importohet edhe nëpërmjet rrugëve tokësore si dhe me hekurudhë. Koncesionari ”Romano Port”, prej afro 20 ditësh ka përfunduar punimet e njërës prej dy kalatave dhe është gati që të nisë përpunimin e anijeve të cilat transportojnë gaz të lëngshëm. Në funksion të saj janë ndërtuar edhe 5 rezervarë gazi me kapacitet 2 mijë tonë secila që në total bëjnë 10 mijë tonë. Paralelisht me punimet e koncesionarit, ka ecur edhe dogana e Durrësit. Ka disa ditë që ka përfunduar së ndërtuari godina e filialit të saj në Porto Romano. Kjo godinë tashmë po i nënshtrohet kompletimit të zyrave si dhe instalimit të sistemit kompjuterik, i cili do të lidhet me sistemin qendror doganor. Ky filial do të realizojë vjeljen e taksave doganore të anijeve të gazit dhe më vonë edhe atyre të karburanteve. Sipas burimeve portuale, sistemi i ndërtuar për linjën e gazit garanton veprime operacionale të teknologjisë së lartë si dhe kushte optimale sigurie të kësaj lënde nëpër rezervarët e gazit. Këto të fundit janë ndërtuar larg qendrave të banimit për shkaqe sigurie. Deri tani, gazi i lëngshëm është përpunuar nga anijet direkt e nëpër autobote, bëjnë me dije specialistë të fushës. Anijet e gazit do të përpunohen në një kalatë e cila ka hyrë në det 1,2 km dhe në një thellësi 12 m. Kuota e arritur është 4 deri 5 metër më e thellë se baseni i portit. Për të nisur nga puna, koncesionarit i nevojitet leja e shfrytëzimit të kalatës. Kjo leje është atribut i KRRTRSH-së. Kompania e huaj ka depozituar dokumentet e nevojshme në KRRTRSH dhe është në pritje të vendimit, i cili pritet të miratohet në janar 2009.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›