Poliklinikat, shpërblimi i fundvitit, në bazë të performancës
ISKSH: Nëse performanca dhe cilësia e shërbimit është arritur, shpërblimi për punonjësit e poliklinikave arrin deri në një pagë
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka ndryshuar masën e shpërblimit për festat e fundvitit për punonjësit e poliklinikave. Këtë vit, ISKSH-ja ka vendosur të shpërblejë të gjithë punonjësit e këtyre qendrave bazuar në performancën e realizuar prej tyre.
Ndryshe nga vitet e tjera, shpërblimi nuk do të jetë një shumë fikse e përcaktuar, por pikërisht bazuar në punën e kryer dhe shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Burime pranë ISKSH-së pohojnë se masa e shpërblimit do të merret brenda pak ditësh.
Shpërblimi
Këtë shpërblim e përfitojnë rreth 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore, me një fond rreth 260 milionë lekë. Në tërësi, masa e shpërblimit për punonjësit e qendrave shëndetësore, përfshi edhe pagën e dhënë në fund të 6-mujorit të parë, shkon në rreth 440 milionë lekë. Të gjitha këto fonde janë të parashikuara në buxhetin e qendrave shëndetësore të vitit 2008.
Sipas të dhënave, rezulton se shpërblimi në këtë fund viti është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër. Ky shpërblim bazohet në 10 për qind shtesë për performancë dhe 5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi).
Sipas informacioneve, rezulton se për 6-mujorin e parë të vitit 2008, të gjitha qendrat shëndetësore kanë dhënë deri në një pagë shpërblim për rezultatet e arritura. Mbështetur në realizimin e 11-mujorit dhe në buxhetin e akorduar, qendrat shëndetësore do të japin deri një pagë tjetër shpërblim për rezultatet e arritura në këtë fund viti.
Realizimi
Mbështetur në evidencat e periudhës janar-nëntor 2008, rezulton se shpenzimet për buxhetin për aktivitet (pra, 10 për qind shtesë mbi pagën për performancë) janë realizuar në masën 74.4 për qind në shkallë vendi dhe bonusi (5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit) është realizuar në masën 44.2 për qind.
Në bazë të evidencave të paraqitura del se financimi i buxhetit për aktivitet (10 për qind i performancës) për çdo qendër shëndetësore të jetë realizuar nga 8-100 për qind. Më mirë në realizimin e këtij treguesi paraqiten qendrat shëndetësore të rajonit Tiranë të cilat kanë tërhequr 63-98 për qind të buxhetit për aktivitet, Vlorë 44-99 për qind, Tropojë 93-100 për qind, Berat 35-100 për qind, Kukës 34-91 për qind, Korçë 28-99 për qind, Elbasan 18-94 për qind, Shkodër 18-99 për qind.
Ndërsa realizimi i buxhetit për bonus varion nga 24-54 për qind. Më mirë paraqiten Vlora dhe Kukësi me 54 për qind secila, Dibra 49 për qind, Korça 48 për qind, Shkodra 46 për qind, Tirana 45 për qind, Berati 43 për qind. Buxheti për bonus për çdo qendër shëndetësore është realizuar nga 2-81 për qind.
Laprakë, mbillen 220 pemë dekorative
Pas mbjelljes së 150 pemëve të llojit rrap përgjatë bulevardit “Zhanë D’Ark” mbjelljes së 100 pemëve përgjatë bulevardit “Bajram Curri”, si dhe gjelbërimit të disa akseve të tjera të rëndësishme të qytetit (rruga “Qemal Stafa” 238 rrape), “Rruga e Barrikadave” 148 gështenja), muaji i gjelbërimit po vijon me mbjelljen e 220 pemëve dekorative të llojit rrap, përgjatë segmentit rrugor nga Lapraka deri tek Kthesa e Kamzës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në fillimin e aksionit për mbjelljen e pemëve në këtë aks rrugor, u shpreh: “Muaji i gjelbërimit vazhdon intensivisht me mbjellje pemësh në të gjitha akset ku ato mungojnë, siç është ky aks hyrës në Tiranë dhe përfitoj nga rasti t’u shpreh mirënjohjen time atyre sipërmarrjeve që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë, për t’iu bashkuar nismës”.
Zona në fjalë karakterizohet nga një fluks i ngjeshur i lëvizjes së automjeteve, ndaj gjelbërimi i këtij aksi në të dy anët e rrugës do të ndihmonte në përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së ajrit.