Pallati, në rrezik shembjeje, banorët: Na ndihmoni
Punimet e kryera në katin e parë të një pallati në “Rrugën e Durrësit” në Tiranë kanë krisur tavanet e të gjitha kateve
Një pallat në Tiranë është në rrezik shembjeje, sipas banorëve, të cilët kanë bërë thirrje për ndihmë. Pallati që ndodhet përballë shkollës së mesme “Qemal Stafa”, ka shfaqur krisje në dyshemetë e kateve, si pasojë e punimeve të kryera në katet e para, me qëllim shndërrimin e tyre në lokale dhe dyqane. Punimet, që kanë lejen e Bashkisë së Tiranës, sipas banorëve, kanë qenë të pastudiuara e për këtë arsye kanë kërkuar ndërhyrjen e baskisë.
Pallati
Punimet për shndërrimin e kateve të para në dyqane dhe lokale ka vendosur në rrezik të gjithë pallatin, sipas banorëve. Pallati nr. 240 në “Rr. e Durrësit” ka nisur të shfaqë krisjet e para në dyshemetë e kateve, si pasojë e ndërhyrjeve që janë bërë me lejen e bashkisë për shndërrimin e kateve të para në mjedise komerciale.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve përpara se një tragjedi të ndodhë në zemër të kryeqytetit. Pallati ndodhet përballë shkollës “Qemal Stafa”, në “Rrugën e Durrësit”, pra në një zonë të mbingarkuar nga kalimtarë, e si pasojë, një tragjedi do të kishte përmasa të mëdha, sipas banorëve.
Asnjë përgjigje
Por deri tani, banorët e pallatit nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndonëse i kanë dërguar letra të shumta kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, pasi Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë ka lejuar punimet në këtë pallat. Sipas banorëve, jo vetëm që nuk kanë marrë sinjale pozitive për kërkesën e tyre, por ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e bashkisë në lidhje me këtë problem.
“Ne i kemi dërguar përpara pak ditësh një letër edhe Presidentit të Republikës, si edhe Kryeministrit të vendit dhe presim që të marrim përgjigje prej tyre”, – u shpreh një prej banorëve, duke shtuar: “Deri më tani, bashkia i ka mbyllur veshët ndaj kërkesave tona”. Banorët kanë kërcënuar edhe me protesta masive në rast se nuk u kthehet një përgjigje mbi këtë problem.
Kujtime... Gjirokastre
Situata e krijuar në pallatin në fjalë në “Rrugën e Durrësit” i përngjan tragjedisë së ndodhur pak javë më parë në Gjirokastër, ku si pasojë e ndërtimeve të kryera në krah të një pallati, ai u shemb, duke shkaktuar vdekjen e tre personave, mes të cilëve edhe një fëmijë. Banorët e pallatit kanë bërë thirrje që të ndërhyhet përpara se situata të arrijë në këtë pikë, duke shpëtuar jetën e tyre.
Në Gjirokastër, bashkia kishte dhënë leje për ndërtimin e një pallati në krah të pallatit ekzistues, duke bërë që punimet të ndërhyjnë në themelet e pallatit që u shemb. Më pas, autoritetet u detyruan që të rrëzojnë edhe pjesën e mbetur të pallatit, pasi ai u cilësua si i rrezikshëm për jetën e banorëve.