E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Partitë të rishikojnë listat

 

ADI SHKEMBI

Koalicioni për Parlament të Pastër i ka bërë thirrje dje partive politike në vend, që të heqin nga listat kandidatët që kanë probleme me drejtësinë apo moralin. Ish-presidenti Alfred Moisiu, në emër të këtij koalicioni kritikoi vonesën e partive politike për shpalljen e listave të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se për kë të votojnë dhe kjo vonesë nuk është në shërbim të tyre. “Këtë vonesë do ta quaja një pabesi e politikanëve ndaj elektoratit të tyre sepse shqiptarët duhet të dinë jo vetëm partinë, por edhe për kë votojnë. Pikërisht ne në ndihmë të kësaj po punojmë për të thënë cili është njëri dhe cili është tjetri”, u shpreh ish-kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se nga lista fillestare prej 165 kandidatësh për të cilët koalicioni ka hulumtuar, partitë politike kanë hequr 25 emra. Lista me emrat e tjerë u është dërguar partive politike dhe sipas Moisiut, nëse ato nuk do të reflektojnë mbi gjetjet e këtij hulumtimi, do të paguajnë kosto përballë elektoratit. “Ne presim dhe shpresojmë që ashtu sikurse u skartuan nga listat paraprake rreth 25 emra të ndryshëm, partitë dhe kandidatët përkatës të reflektojnë. Partitë që nuk do t’i kenë parasysh këto do të paguajnë koston”, vijoi më tej ish-kreu i shtetit. Një sistem vlerësimi me pikë, u jep kandidatëve një vend të caktuar në renditjen e përgjithshme të kandidatëve sipas meritave të tyre. Një seri kriteresh që kanë të bëjnë me të dhënat personale, edukimin, aktivitetin profesional, precedentët penalë, përvojën parlamentare (për kandidatët që kanë qenë deputetë) si dhe dëshmi kontroversiale të faktuara në shtypin e përditshëm, u përdorën si indikatorët bazë për hartimin e raporteve për këta kandidatë. “Kjo bazë të dhënash, pas përfundimit të saj të plotë mund të shërbejë për të kuptuar se cilët janë ata kandidatë që kanë më pak pikë se kolegët e tyre në raport me shkollimin e tyre, përvojën profesionale, problemet me drejtësinë dhe çështjet kontroversiale që janë përmendur në shtyp, por që nuk kanë mundur kurrë të bëhen objekt hetimi zyrtar për shkak të problemeve të njohura të drejtësisë shqiptare”, vijoi më tej ish-presidenti Moisiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›