Kolegji Zgjedhor pranon padinë e PS-së, rrëzon vendimin e KQZ-së
03/05/2011 Vendimi: Janë vetë televizionet që vendosin të pranojnë apo jo kasetat e partive
Vendimi i KQZ-së, i cili detyron televizionet që të pranojnë kasetat e filmuara nga partitë, është rrëzuar mesditën e djeshme nga Kolegji Zgjedhor. Ka qenë Partia Socialiste ajo që ka paditur në Kolegjin Zgjedhor vendimin e miratuar vetëm me votat e katër anëtarëve të mazhorancës në KQZ, pasi sipas tij ky vendim binte ndesh me Kodin Zgjedhor. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor duket se nuk do jetë afatgjatë, pasi ai vjen vetëm katër ditë para përfundimit të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen këtë të diel.
Seanca
Kështu pas tri orësh seancë Kolegji Zgjedhor i kryesuar nga gjyqtarja Dhurata Haveri, ka pranuar padinë e bërë nga PS-ja, duke sjellë kështu rrëzimin e vendimit numër 460 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilin thuhet: “Subjektet zgjedhore duhet të përcaktojnë ndarjen e kohës së pasqyrimit të fushatës në dispozicion të subjekteve zgjedhore midis fushatës kombëtare dhe fushatës së kandidatëve për kryetar bashkie dhe komune. Me qëllim plotësimin e detyrimit për pasqyrim të barabartë të fushatës zgjedhore midis subjekteve zgjedhore, në rast të pamundësisë së mbulimit me resurset e veta, televizioni i ilustron aktivitetet e fushatës me filmimet e aktiviteteve të vëna në dispozicion nga kandidatët/subjektet përkatëse.” Në seancën e djeshme avokati i PS-së ka argumentuar këtë padi se akti i miratuar nga KQZ-ja është një akt normativ që nuk merret me katër vota, por me shumicë të cilësuar. Ndërkohë avokatja e KQZ-së ka pohuar se nuk është një akt normativ. Pavarësisht pretendimeve të të dyja palëve, Kolegji Zgjedhor në fund ka pranuar kërkesën e PS-së dhe ka rrëzuar vendimin e KQZ-së, duke bërë që të jenë vetë televizionet ato që të vendosin të pranojnë apo jo kasetat filmike të përgatitura nga subjektet politike.
Mbledhja e KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota “pro” dhe dy “kundër” në mbledhjen e 23 prillit vendimin 460 që detyron televizionet të transmetojnë kasetat e montuara nga stafet e partive politike gjatë fushatës së 8 majit. Duke iu referuar propozimit të mazhorancës në Bordin e Medies, kryetari i KQZ-së Arben Ristani u shpreh se “transmetimi i detyruar i kasetave të shtabeve elektorale është e vetmja zgjidhje kur ka pamundësi mbulimi të aktiviteteve politike”. Propozimi për transmetimin e kasetave të partive erdhi nga Bordi i Monitorimit të Medies, i cili gjatë monitorimit ka konstatuar se kishte një diferencë të madhe në mbulimin e aktiviteteve politike në televizionet kombëtare e lokale.
Opozita
Tre anëtarët e tjerë të opozitës në Bordin e Monitorimit të Medies në lidhje me vendimin e KQZ-së theksuan se nuk është kompetencë e Bordit të Monitorimit që të ndryshojë Kodin Zgjedhor. Por propozimet e Bordit mund t’i shërbejnë një reforme të ardhshme zgjedhore, që do merret pas zgjedhjeve vendore të 8 majit. Sa i përket detyrimit për marrjen e kasetave, ata kanë theksuar me forcë se kjo bie ndesh me parimet më elementare të profesionit të gazetarit.
Mazhoranca
Katër anëtarët e bordit në shumicë, të cilët ishin dhe iniciatorët e këtij propozimi për vendimin e KQZ-së, e kanë argumentuar propozimin e tyre pak ditë më parë duke thënë se “televizionet nuk kanë pse i refuzojnë kasetat përderisa i kanë pranuar në zgjedhjet e vitit 2009”. Kurse balancimi i kohës mes kandidatëve është një mangësi e Kodit, që ata u përpoqën ta rregullojnë me propozimet e tyre.
Propozimi i Bordit
“Mbulimi ditor i aktiviteteve të kandidatëve për kryetar bashkie për bashkitë qendër rrethi ose komune të një subjekti zgjedhor të jetë jo më i vogël se 70 për qind të kohës totale të mbulimit të dedikuar për atë subjekt zgjedhor. Jo më pak se 30 për qind e kohës totale të subjektit zgjedhor i dedikohet kandidatit për bashkinë e kryeqytetit”, - propozoi Bordi i Medies në mbledhjen e datës 23 prill të KQZ-së.