E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidati për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha, takon banorët e njësisë numër 5

28-03-2011 / Gazeta 55

“Taksat lokale dhe infrastruktura, shqetësimi i qytetarëve”

Mungesa në insfrastrukturë, mungesa e hapësirave publike për çlodhje dhe argëtim, taksat e larta lokale, trafiku, mungesa e parkingjeve, ishin problemet që banorët e njësisë bashkiake numër 5 ndanë sot me kandidatin për kryebashkiak në Tiranë, z.Lulzim Basha. Njësia bashkiake 5 në Kryeqytet, ka një problematikë të rënduar për shkak të dendësisë së lartë të popullsisë. Lulzim Basha, kandidat për kryebashkiak në Tiranë i dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve në lagjet e kësaj zone të qytetit.
Hallet janë të ndryshme, por qytetarët bashkohen në mendimin dhe konstatimin e tyre se taksat lokale që ata i paguajnë bashkisë janë të larta.
“Taksat lokale janë shumë të larta, të papërballueshme, po rregulluat këtë, keni bërë një punë të madhe”- i tha Bashës një banor i zonës.
Më tej një i moshuar i lutet kandidatit për kryetar bashkie që të bëjë diçka për rrugët dhe trotuaret, pasi jeta e tyre është në rrezik. “Rregulloni diçka në këtë qytet, sepse do na vrasin makinat”, ishte shqetësimi që iu adresua Lulzim Bashës.
Përfaqësuesit e biznesit të vogël u ankuan edhe për arbitraritetin që tregon administrata e bashkisë në vendosjen e gjobave.
Banorë të tjerë thanë se ka probleme të mëdha me infrastrukturën dhe me mungesën e hapësirave. Disa u ankuan për fasadat e pallateve, duke thënë se kanë frikë të kalojnë në trotuar se mund t’u bjerë në kokë ndonjë objekt nga lart.
Një shqetësim permanent mbetet trafiku dhe mungesa e vendeve për parkim. Gjatë ditës së tretë të fushatës, Basha takoi dhe fëmijë e të moshuar që vuajnë shumë mungesën e hapësirave të gjelbra duke mos pasur kështu mundësi argëtimit.
Ashtu si dhe në ditët e para të fushatës nuk mungojnë mbështetjet për kandidatin Lulzim Basha. “Jemi të bindur se do të fitoni dhe keni mbështetjen tonë”, i thanë Bashës banorë të njësisë bashkiake numër 5 në kryeqytet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›