Kandidaturat për zgjedhjet vendore, PS mbledh kryesinë
Socialistët pritet të mbyllin sot listat e kandidatëve për kryetar të njësive vendore, për zgjedhjet e 8 Majit. Pas një procesi të gjatë dhe në shumë raste të vështirë, selia rozë pritet të mbledhë sot në orën 18:00, kryesinë e saj si forumi që në bazë të statutit ka të drejtën që të miratojë listat përfundimtare. Pavarësisht se edhe dje, kreu socialist dhe deputetë të kësaj force janë përpjekur që të sheshojnë çdo mosmarrëveshje për njësi të veçanta, kryesisë i mbetet shumë punë për të përcaktuar listën përfundimtare. Mbledhja parashikohet të jetë e shoqëruar me debate, për shkak se numri i bashkive apo komunave për të cilat kërkohet një vendimmarrje për të zgjedhur mes kandidatësh është jo i paktët. Në momentet e fundit i është dhënë zgjidhje përfundimtare problemit për kreun e Bashkisë së Fierit, ku është rikonfirmuar si kandidat kreu aktual Baftjar Zeqo. Ndërkohë që kandidati tjetër që rivalizonte Zeqon për këtë postë, pra Arion Muçaj, do të zgjidhet deputet, pasi do zërë vendin e deputetit aktual, Fatos Tushe, i cili nga ana e vet ka vendosur të kandidojë për Bashkinë e Lushnjës. Gjithashtu, zgjidhje i është dhënë dhe rastit të Bashkisë së Gjirokastrës, ku është rikonfirmuar Flamur Bime. E vetmja bashki e madhe që nuk e ka përcaktuar ende kandidatin është ajo e Beratit, ku në konkurrencë është kreu aktual, Fadil Nasufi dhe kryetari i PS-së së qytetit, Selman Hodo. I pacaktuar mbetet dhe kandidati për Bashkinë e Librazhdit, ku në konkurrencë janë ende dy kandidatë.