E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidimi, Mustafaj: Do t’i shkoj garës deri në fund

Deputeti Besnik Mustafaj, duke Ii njohur vetes të drejtën që i jep statusi i PD-së në konkurrimin për kreun e ri të Tiranës, është i bindur se kësaj gare do t’i shkojë deri në fund. Mustafaj pranoi dje se për iniciativën e tij ende nuk është konsultuar me liderin Berisha, por bëri të qartë se është konsultuar më parë më statusin e PD-së. Mustafaj e quan dokumentin themeltar të partisë si Bibël për të duke lënë të kuptohet se hyn në këtë garë me të drejtën që i jep pikërisht statusi i PD-së. “Për garën e kreut të PD-së dega Tiranë, nuk jam konsultuar me Berishën, por jam konsultuar me statutin e Partisë. Statut është Bibla ime dhe e Kryeministrit dhe askush tjetër nuk ka të drejtë mbi të”, - u shpreh Mustafaj. Në një kohë kur faza zgjedhore ende nuk ka filluar, duket se Mustafaj nuk do të jetë e vetmja kandidaturë për postin e kreut të PD-së së Tiranës. Pritet që të zhvillohet mbledhja e kryesisë, shqyrtimi i kandidaturave për postin e kryetarit të degës, për të gjitha rrethet ku do të bëhen zgjedhjet dhe më pas të fillojë procesi zgjedhor në moton “një anëtar - një votë”. Deputeti Mustafaj gjykon se çdo anëtar i kësaj partie ka të drejtë të kandidojë për postet drejtuese në këtë parti. Sipas tij, ''çdo anëtar i kësaj partie ka të drejtë të kandidojë për poste në parti dhe jo të pritet një aprovim nga kryesia''. Mustafaj u shpreh në mbështetje të z. Berisha, duke shtuar se ''personalisht e mbështes z. Berisha në të gjitha nismat dhe do ta votoja nëse ai do të ishte në kandidim për çfarëdo lloj posti". Në lidhje me fushatën e zgjedhjeve partiake, Mustafaj theksoi se ''strukturat e PD-së janë pak të vonuara në organizim, por kandidimi im për kreun e PD-së së Tiranës është në kohë dhe shpresoj se strukturat e PD-së do të publikojnë shumë shpejt kalendarin e fushatës ku edhe kemi hyrë''.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›