Çahet PS-ja e Fierit: Rama të japë dorëheqjen
Baza e Partisë Socialiste ka nisur të ngrejë krye kundër politikave që po ndjek kryetari aktual i saj, Edi Rama. Sulmi i ka ardhur nga një prej degëve më të mëdha të kësaj partie, qyteti i Fierit, ku një numër i madh anëtarësh të Asamblesë dhe anëtarë të thjeshtë të partisë e akuzojnë për arrogancë në drejtimin e partisë dhe kërkojnë që të japë dorëheqjen. Deklarata u bë dje nga anëtari i asamblesë së PS-së në Fier, Hader Cako, i cili përfaqësonte një grup socialistësh që ishin kundër mënyrës së drejtimit të partisë nga Rama dhe e akuzojnë atë për neglizhencë në problemet që ka pasur kjo degë. Kjo kërkesë vjen pas takimit të datës 4 shtator në këtë qytetit kur Rama krijoi Bordin e Dialogut me Shqipërinë. Sipas Cakos, “në këtë takim Rama tregoi edhe një herë qëndrimin e tij arrogant e të papërgjegjshëm gjë që sjell ndër mend praktika dhe qëndrime që janë ndjekur nga Partia Demokratike". Baza socialiste nuk ngurron ta krahasojë dhe me kundërshtarin politik Sali Berisha duke e akuzuar për autoritarizëm në drejtimin e partisë. Në deklaratën e firmosur nga socialistët e Fierit thuhet se “deri në datën 4 shtator, ditën e mbledhjes së asamblesë, ne mendonim që këto problematika ishin thjesht rajonale, por pas kësaj dite me dhimbje kuptuam që këto probleme fillojnë nga vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili siç duket vazhdon të jetë pjesë e huaj në PS dhe nuk ka as dëshirën më të vogël për ta sjellë PS-në në pozicionin që ishte, si forca më e madhe politike në vend, pozicion të cilin vetë Edi Rama është bërë shkak që ta humbasë dita-ditës”. Duke përdorur termat e Ramës për politikë përtej së majtës e së djathtës hartuesit e deklaratës shprehen më tej: “Ne denoncojmë këtë qëndrim përtej së majtës e së djathtës, duke I bërë thirrje Edi Ramës të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të.partisë, veprim i cili është në të mirë të PS-së e të tij”. Sipas socialistëve fierakë, “ka ardhur momenti që ky vend të shkëputet një herë e mirë nga autoritarizmi e tipat diktatorialë si Rama e Berisha”. Nuk dihet nëse këta socialistë do të bëhen pjesë e partisë së re që po krijon deputeti i këtij qyteti Petro Koçi. Ata vetë shprehen se “ne vazhdojmë të jemi anëtarë të Partisë Socialiste, të asaj partie e cila ka qenë pararojë e partive politike shqiptare si për shkallën e demokracisë së brendshme dhe të lirisë për të cilën kanë luftuar të gjithë shokët dhe shoqet tona dhe që këtë arritje madhështore 15-vjeçare për fat të keq, vëmë re që në harkun kohor të 3 vjetëve po e rrënon me praktikat dhe me idetë e tij anarkiste Z.Edi Rama i cili nën petkun e kryetarit të PS-së po deformon thelbin dhe po denigron vlerat e vërteta të saj dhe do ta kthejë në një parti të njëjtë me PD-në e z.Berisha, ku dëgjohet vetëm një zë (ai i kryetarit) dhe të tjerët janë të pavlerë, thjesht skllevër”.
240 anëtarë të PS-së në Fier kanë firmosur mocionin e mosbesimit ndaj Edi Ramës duke kërkuar që të ikë nga drejtimi i partisë.
240 anëtarë të PS-së në Fier kanë firmosur mocionin e mosbesimit ndaj Edi Ramës duke kërkuar që të ikë nga drejtimi i partisë.