E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet 2009, certifikatat hiqen nga qarkullimi



Një nga çështjet më të debatueshme gjatë gjithë historisë së zgjedhjeve politike, certifikatat, nuk do të përdoren më. Këtë vendim ka marrë dje në unanimitet Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili i ka dhënë fund kësaj praktike. Në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të përdoren vetëm kartat e identitetit dhe pasaportat për jashtë shtetit. “Komisioni miratoi formulimet e ekspertëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më votime me certifikata. Në përgjigje të procesit të reformimit që po ndodh në institucione të tjera, ne konsiderojmë që certifikatat e kanë mbyllur periudhën e tyre të suksesit, por edhe të dështimit, siç ishte rasti i zgjedhjeve lokale të vitit 2007”, - deklaroi bashkëkryetari demokrat i komisionit, Ilir Rusmali. Gjatë mbledhjes së djeshme, pala e djathtë ka dhënë garanci se qeveria do të përmbyllë procesin e hartimit të regjistrit elektronik të votuesve, si dhe do të pajisë shtetasit me karta identiteti. Gjithsesi, për të pasur më tepër alternativa gjatë procesi të votimit, do të përdoren edhe pasaportat për jashtë shtetit, një dokument identifikimi i cili cilësohet si tepër i sigurt nga të gjitha palët. “Sot shqiptarët janë futur në një fazë kur shumë shpejt parashikohet të kenë dokumente identifikimi të nivelit dhe të cilësisë më të lartë evropiane. Ne kemi shumë besim dhe siguri që në të ardhmen zgjedhësit shqiptarë të mund të identifikohen në komisionet e qendrave të votimit vetëm nëpërmjet kartave të identitetit dhe pasaportave”, - garantoi Rusmali. Njëkohësisht, Komisioni miratoi dje edhe disa procedura që lidhen me procesin e votimit, kryesisht për personat që kanë vështirësi në kryerjen e procedurave të votimit, siç është kategoria e të verbërve. Ligji aktual parashikon se personat që nuk mund të votojnë vetëm, mund të shoqërohen nga një person i afërt, por Komisioni vendosi dje se një asistencë të tillë tashmë do ta japin strukturat lokale të pushtetit vendor, ku punonjës socialë do të japin ndihmën e tyre për këtë kategori. Një tjetër çështje e prekur nga Rusmali ishte edhe mbyllja e hartimit të detajeve të kësaj reforme, përpara se t’i kalojnë Kuvendit për miratim. Ai garantoi se brenda dy javëve do të përfundojnë të gjitha detajet për të përcaktuar të gjithë sistemin zgjedhor. Rusmali mbetet optimist se kjo reformë do të miratohet në Kuvend brenda 30 shtatorit, datë e cila shënon dhe përfundimin e mandatit të punës së këtij komisioni, përcaktuar me vendim të Kuvendit. “Teknikisht, ritmet e punës së Komisionit janë të tilla që e lejojnë këtë gjë, por nuk mund të parashikoj negociatat politike, nuk mund të them se cili është vullneti politik i palëve dhe se cili është vizioni i palëve, sepse vizionet mund të jenë të ndryshme, pavarësisht se të gjitha palët thonë se jemi për miratimin brenda muajit shtator. Komisioni do të punojë intensivisht deri në përfundimin e mandatit që i është dhënë, duke shpresuar shumë se do të mund të realizojmë si komision produktin tonë përfundimtar”, - tha Rusmali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›