Zogaj: Pa mbështetjen e Berishës, Mustafaj ka vështirësi
Preç Zogaj e vlerëson si politikan besnik Mustafajn, por nuk nguron t’i vërë në dukje se pa mbështetjen e liderit Berisha e ka të vështirë garën për kreun e ri të PD-së së Tiranës. Pavarësisht figurës së Besnik Mustafajt, kontributit të tij në PD, dhe vendosmërisë për të garuar për postin e kreut të PD-së Tiranës, është e vështirë, në mos e pamundur, të fitosh një garë në PD, pa mbështetjen e kryetarit Sali Berisha. Një prej miqve të z.Mustafajt, deputeti i PD-së, Preç Zogaj, duke i njohur të gjitha vlerat figurës së Besnik Mustafajt, pranon se është e vështirë të fitosh një post në PD pa mbështetjen e Berishës. Por, Zogaj vlerëson jo vetëm Besnik Mustafajn për kontributin në Partinë Demokratike, por edhe risinë e kandidimit të tij për herë të parë pa një lançim nga lideri Berisha, duke krijuar kështu një garë reale brenda PD-së. Procesi i zgjedhjeve të reja në partinë në pushtet edhe pse nuk ka një datë të saktë, parashikohet të fillojë nga fundi i tetorit - fillim nëntori, ndërsa grupet e punës do të vazhdojnë punën deri në fillim të zgjedhjeve që do të ripërtërijnë strukturat e PD-së.