E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidimi i Nanos në Sarandë fat i madh për kombin shqiptar

13/02/2005  Berisha: Lesi fitoi një herë me Nanon në Kuvend, s'ka pse të përsëritet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur dje se kandidimi i Nanos në Sarandë është një fat i madh për kombin, pasi në këtë mënyrë kryesocialisti ka firmosur humbjen e tij. Gjatë festës së 14-vjetorit të themelimit të PD-së në Sarandë, Berisha tha se Nano e ka të humbur konkurrimin, pasi në Kalivaç atë nuk e pranon njeri. Megjithatë, ai nuk ka pranuar të deklarojë se cili do të jetë kandidati i opozitës përballë Nanos. "Kandidimi Nano-Lesi është zhvilluar në parlament dhe ai është fituar nga Lesi. Nuk mendoj se konkurrimi duhet zhvendosur në Sarandë, por nuk e kam pyetur Lesin në ka dëshirë të kandidojë. Jemi duke evidentuar figurat që do të nxjerrim përballë Nanos", tha Berisha. Në këtë mënyrë është hedhur poshtë qëndrimi i disa muajve më parë, ku Nikollë Lesi është shprehur se ka marrë mbështetjen e PD-së për të kandiduar përballë kreut të socialistëve. Tashmë do të jenë strukturat demokrate që do të vendosin se cili do të konkurrojë Nanon në votimet e kësaj vere. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar ministrin Fino se ka shkatërruar turizmin në Sarandë, duke bërë antireklamë në televizione. Ky ka qenë një shkak më shumë për Berishën për të theksuar se socialistët do ta kenë humbjen të sigurtë, pasi ata nuk kanë kontribuar me investime në këtë zonë turistike të Shqipërisë. Berisha ka premtuar strategji konkrete të zhvillimit të turizmit në Sarandë dhe në zonat e tjera të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›