E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit vë në lëvizje autoritetet shqiptare



Ivanaj: Deri tani nuk ka asnjë rast të prekur, ndaj nuk ka nevojë për panik Vigjilenca e autoriteteve shëndetësore është rritur

Rastet e para të gripit të derrit në Evropë kanë detyruar dje Ministrinë e Shëndetësisë të thërrasë në një mbledhje urgjente të gjithë institucionet përgjegjëse. Në këtë mbledhje u përcaktua se kontrolli në kufij do të jetë më i rreptë dhe se nuk do të lejohen provizorisht produkte ushqimore të importuara prej shteteve ku janë shfaqur rastet e para të kësaj sëmundjeje. Ndërkohë, është lajmëruar se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të dyshuar për gripin e derrave e si pasojë nuk ka nevojë për panik, porse vigjilenca e autoriteteve shtetërore është shtuar për të parandaluar çdo mundësi infektimi.

Mbledhja që u zhvillua ndërmjet autoriteteve drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Institutit të Shëndetit Publik, siguroi se do të jetë në kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për informacionet më të fundit në lidhje me këtë çështje.

Nuk ka të prekur

Pas përfundimit të mbledhjes, zëvendësministri i Shëndetësisë, z. Arben Ivanaj, deklaroi në një konferencë për shtyp: “Sipas të dhënave të deritanishme dt. 27.04.2009 ora 11:30, rezulton se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me virusin të ashtuquajtur të derrit”.

Sipas Ivanajt, situata epidemiologjike në vend po ndiqet me vëmendje nga MSH-ja dhe MBUMK-ja. “Jemi në kontakte të vazhdueshme me OBSH-në, me rrjetin e rregullores ndërkombëtare sanitare, me institucione të shëndetit publik evropian, rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit dhe Organizatën Botërore të Epizootive, e si pasojë adaptimi i të dhënave është i përditshëm”, – siguroi zëvendësministri.

Në çdo rast, ai kërkoi që të mos përhapet panik, pasi nuk ka. Risku i vendit tonë është i njëjtë me atë të përpara nisjes së përhapjes së epidemisë. Sipas zëvendësministrit, nuk duhet të ketë ndryshime në sjelljet tona, pasi Shqipëria nuk importon produkte apo nënprodukte të mishit nga Meksika dhe vendet e tjera të prekura.

“Informojmë se në vendin tonë nuk ka asnjë ndryshim të nivelit të riskut, pra nuk ka vend për panik apo për ndryshim të sjelljeve tona të përditshme, – tha Ivanaj. – Sipas rekomandimeve të OBSH-së, të gjitha institucionet e specializuara kanë rritur nivelin e vigjilencës në lidhje me survejancën e gripit”.

Masa

Në mbledhjen e zhvilluar u arrit marrëveshje për një sërë masash paraprake për të parandaluar hyrjen e gripit të derrave në Shqipëri. Në këtë mënyrë, institucionet përkatëse do të rrisin vigjilencën e tyre ndaj rasteve të dyshimta që mund të ndodhin në territorin e vendit. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se tashmë janë ndarë detyrat ndërmjet institucioneve përkatëse.

Në këtë mënyrë, Instituti i Shëndetit Publik do të kontrollojë në mënyrë të vazhdueshme hyrjen e personave në kufij, që sipas ligjit të ri të shëndetit publik, do të duhet të kontrollohen në rast se ekzistojnë dyshime. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë do të rreptësojë kontrollet në dogana për produktet ushqimore të importuara, sidomos nga ato vende ku ka raste të dyshuara.

Nuk është hera e parë që sëmundje të tilla shqetësojnë opinionin botëror. Gripi i derrave ka qenë një problem edhe përgjatë viteve `60, ndërkohë që për një periudhë trevjeçare, deri përpara dy vjetësh, një tjetër lloj gripi: ai i shpendëve, vendosi në alarm sistem shëndetësor në shumë vende. Gripi i derrave ka marrë jetën e mbi 100 personave deri më sot, kryesisht në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që rasti i parë është evidentuar edhe në Evropë, kur një fermer spanjoll u prek nga kjo sëmundje.

Historia dhe simptomat e gripit të derrit

Instituti i Shëndetit Publik informoi dje simptomat e gripit të derrit si dhe rekomandimet për mbrojtjen ndaj tij. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, "gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit". “Vdekshmëria tek derrat është e ulët dhe shërimi ndodh brenda 7-10 ditëve”, - sqarojnë specialistët e ISHP-së. “Viruse të gripit, që e kanë origjinën nga derrat, vihen re edhe tek shpendët e egër, shpendët shtëpiakë, kuajt dhe njerëzit, por transmetimi midis specieve konsiderohet ngjarje e rrallë. Deri tani ka pasur tri lloje të gripit A tek derrat: H1N1, H1N2, H3N2. Simptomat e gripit të derrit tek njerëzit janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm të njerëzve, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, kolla, por vihet re dhe diarre. Ndaj në rast të konstatimit të këtyre shenjave, të gjithë personat që kanë udhëtuar në zonat e prekura, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku”, - pohojnë të njëjtat burime. Në shumicën e rasteve, virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me derrat, ndërsa rastet e transmetimit nga njeriu tek njeriu, më parë kanë qenë të rralla. Ky virus nuk transmetohet nga ngrënia e mishit të derrit apo produkteve të tij. Në rastet e transmetimit nga njeriu tek njeriu më parë, transmetimi ndodh nëpërmjet kontaktit të ngushtë dhe rrugëve ajrore. Për sa i përket vaksinimit, ISHP-ja sqaron se për këtë lloj virusi ka vaksinë për derrat, por jo për njerëzit. Ndërkohë, ka ngjashmëri midis viruseve H1N1 tek derrat dhe njerëzit (që përfshihet në vaksinën e gripit), por nuk dihet nëse ka mbrojtje ose jo. Shumica e viruseve të derrit kanë qenë të ndjeshme ndaj medikamenteve që janë inhibitore të neuraminidazës si oseltamiviri (tamiflu) dhe zanamirivi (relenza), por tashmë (në rastet në SHBA dhe Meksikë) ata janë rezistentë ndaj amantadinës. Infeksionet tek njerëzit me këtë virus janë vënë re që nga vitet 1950, kryesisht në persona të cilët kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me derrat (persona që kanë punuar në ferma të derrave etj). Në Evropë, që nga viti 1958 janë raportuar 17 raste, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një shpërthim epidemik nga gripi i derrit tek njerëzit u vu re tek rekrutët në një kamp të ushtrisë në Fort Dix, New Jersey, në vitin 1976. Një lidhje me derrat, u supozua në këtë kohë, por nuk u zbulua asnjëherë. Por ajo që u pa, ishte transmetimi i lartë nga njeriu tek njeriu me rreth mbi 200 raste të infeksionit, ku 12 u shtruan në spital në gjendje të rëndë dhe me një vdekje.

Kontrolle në kufi

Asnjë person nuk kalon kufirin pa kryer kontrollin shëndetësor nga inspektorët sanitarë. Për rastet e dyshimta apo mbartëse të ndonjë sëmundjeje infektive inspektorët do të mbajnë raport paraprak për të njoftuar më pas institucionet shëndetësore. Kjo masë përcaktohet në projektligjin “Për shëndetin publik”, i cili pritet të kalojë për miratim në Parlament. Pikërisht, neni 26 i këtij projektligji përcakton në mënyrë të qartë se inspektimi sanitar kryhet me qëllimin për të ruajtur shëndetin e qytetarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Në këtë nen përcaktohet gjithashtu se inspektimi është sistematikisht, pa njoftim paraprak, veç sinjaleve të marra nga vetë qytetarët. Në bazë të inspektimit, strukturat rajonale të shëndetit publik do të mbledhin dhe përpunojnë informacionin shëndetësor për të përcaktuar në fund, në bazë të një analize gjendjen shëndetësore të popullatës dhe faktorët e riskut. Ligji përcakton se kontrolli dhe parandalimi i sëmundjeve do të bëhet nëpërmjet programeve specifike të shëndetit publik.

Gripi “mbyll” edhe stadiumet

Ndeshjet e futbollit në stadiumet e New Mexico-s në SHBA këtë javë janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Kjo masë është marrë pasi qendra të tilla publike, sipas autoriteteve vendase, mund të jenë pikat kyçe të përhapjes së këtij virusi. Pra, sportin më të dashur të vendit qytetarët meksikanë do të mund ta ndjekin vetëm nëpërmjet televizorit. Por, autoritetet vendase kanë shkuar edhe më tej, këta fundit kanë mbyllur të gjitha ndërtesat që kanë funksione fetare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›