E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidimi në Tiranë, plas lufta e brendshme në partitë politike



Lista e kandidatëve në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e ardhshme 2009 duket se është kthyer në “mollën e sherrit” brenda partive kryesore të skenës politike shqiptare. Në të tria partitë kryesore, PD-ja, PS-ja dhe LSI-ja, por edhe partitë e tjera, PR-ja, PSD-ja etj., tashmë ka filluar lufta e brendshme, e cila pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha, përsa i përket garës për t’u përfshirë në listën e emrave të kandidatëve për deputetë, që do të përcaktohen në zgjedhjet e ardhshme në qarkun e Tiranës.
Për shkak se në këtë qark, pragu elektoral është më i ulëti, vetëm 3.5%, të gjitha figurat kryesore të partive në fjalë tashmë kanë filluar garën për të gjetur një vend në listën e kandidatëve për Tiranën në zgjedhjet e 2009-s. Kjo ka bërë që tashmë në partitë në fjalë të shpërthejnë bërrylat dhe lufta e brendshme nga politikanët kryesorë, të cilët shikojnë si më shumë mundësi për t’u futur në parlament, pragun elektoral që garanton qarku i Tiranës. Në Partinë Demokratike, pothuajse të gjithë ministrat e kabinetit “Berisha” do të kërkojnë që të zënë një vend sa më afër Berishës në listën për qarkun e Tiranës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partinë Socialiste dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku figurat kryesore do të përpiqen të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme në qarkun e Tiranës.

Pragu në Tiranë
Edhe pse ka numrin më të madh të votuesve, rreth 660 505, qarku i Tiranës do të ketë pragun elektoral më të ulët në krahasim me 11 qarqet e tjera në vend. Ky prag arrin në shifrën 3.5% dhe nëse pjesëmarrja në votime do të jetë 100%, partitë politike duhet të arrijnë të paktën 23117 vota për të siguruar të paktën një deputet, nga 20 zonat zgjedhore që ka qarku i Tiranës. Por, duke pasur parasysh që pjesëmarrja në votime varion në shifrat 45-50%, shanset e partive të vogla rriten disi, dhe ato mund të sigurojnë fitoren e një vendi në parlament nga qarku i Tiranës, duke fituar rreth 11 000 vota. Ndërkohë, në qarqe të tilla si Kukës, Gjirokastër, Lezhë dhe Dibër, pragu elektoral është mjaft i lartë, çka rrezikon marrjen e mandatit për shumë prej kandidatëve.
Liderët e partive
Tirana duket se do të jetë “fushëbeteja” e të mëdhenjve të politikës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për vitin 2009. Edhe pse me numrin më të madh të votuesve, pragu i ulët elektoral, që nënkupton një numër jo të madh votash për të siguruar mandatin e deputetit, duket se do t’i shtyjë kryetarët e partive kryesore parlamentare për të kandiduar të parët në listë në qarkun e Tiranës. Sipas përllogaritjeve me sistemin proporcional rajonal që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme, qarku i Tiranës shënon pragun më të ulët elektoral, rreth 3.5%. Kjo përqindje e ulët e pragut pritet të sjellë kandidimin në këtë qark jo vetëm të tre “të mëdhenjve” të politikës, Berisha, Rama, Meta, por edhe të kryetarëve të partive të tjera parlamentare, si Gjinushi, Ceka etj.

Qarku i Tiranës
Numri total i votuesve: 660 505
Rrethet që përfshihen: Tirana dhe Kavaja
Pjesëmarrja në votime: 50%, rreth 330 000
Zonat Zgjedhore: 28
Pragu elektoral 3.5%
Votat sipas pragut: 10 500
Përqindja e PD-së në 2005-n 49.20%
Përqindja e PS-së në 2005-n 38.91%
Përqindja e LSI-së në 2005-n 9.22%

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›