E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanionet, turistët me policë drejt Tiranës

 

SKRAPAR - Policia e Beratit shoqëroi dje deri në Tiranë të 11 turistët, që rrezikuan jetën në kanionet e Osumit. Kosovarët, shumica e të cilëve prej vitesh jetonin në Gjermani, kishin ardhur për të vizituar këtë zonë të paeksploruar më parë prej tyre. Njëri prej tyre, Mustafa Krasniqi u shpreh pasi u nxor nga kanionet me litar nga alpinistë të RENEA-s, se kishte dëgjuar për mrekullitë e kësaj zonë, ndaj kishin vendosur bashkërisht të vinin në këtë sezon dhe të lundronin në Osum. Por jeta e tyre u rrezikua kur varkën e mori rrjedha dhe i çoi në një shpellë të vogël prej nga nuk mundën të dalin më. Të bllokuar prej dy orësh,  ata u munduan më kot të dilnin nga vendi tejet i ngushtë ku i kishte çuar rrjedha. Por ata as nuk mund të hidheshin në ujë e të dilnin në breg, pasi nuk kishin siguri se si mund të precipitonte ngjarja. Të ndodhur në një situatë të tillë, turistët dhanë alarmin me një telefonatë në polici. Kjo e fundit mori masa duke çuar drejt vendit të ngjarjes forcat e saj. Duke pasur parasysh zonën e thepisur e mjaft të rrezikshme për ndërhyrje, blutë kërkuan përforcime të alpinistëve të RENEA-s. Në vend mbërriti policia dhe RENEA, të cilët me ndihmën e litarëve arritën t’i shpëtojnë një e nga një të 11 turistët. Pasi u akomoduan në një nga hotelet e qytetit, dje ata u nisën të shoqëruar nga policia, nga ku më pas do të shkonin në Kosovë.       d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›