Pranga ndihmësmjekut, futi hashash tek i arrestuari
DURRES/ OERD ULQINI
Një narkoman i burgosur pavarësisht se vuante dënimin në qeli, që prej datës 14 shkurt 2008, ka arritur të “tymosë” pas hekurave drogën e llojit marijuanë. Falë “postierit” Sokol Uka, 36 vjeç që kishte “imunitet” për t’u futur në qeli, pasi ushtronte detyrën e infermierit për të burgosurit, i arrestuari Aldo Axhenti kishte porositur mallin. Bëhet fjalë për një sasi prej 7.5 gramësh lëndë narkotike të llojit “cannabis sativa”, të cilën ndihmësmjeku e kishte fshehur në trup. Nga veprimet e para hetimore rezulton se i arrestuari e zotëronte drogën me qëllim për ta futur brenda institucionit të paraburgimit për t’ia dhënë për konsum të dënuarit Aldo Axhenti, i arrestuar nga shërbimet e policisë më shumë se një vit më parë dhe i gjetur fajtor nga Gjykata e Faktit për veprën penale “Shitje lëndësh narkotike”. Ndihmësmjeku është arrestuar në orën 04:00 të mëngjesit, në kushtet e flagrancës, duke shpresuar se gardianët e burgut do ta kishin vigjilencën të ulur. Por sinjalizimet e njëpasnjëshme për tymin që ndihej nga konsumi i drogës në burg, përkundrazi, e kishin çuar vigjilencën e rojeve në nivelet më të larta. Hetuesit duan të zbardhin skemën e furnizimit me drogë në burgun e Durrësit dhe të zbulojnë faktin se prej sa kohësh ndodhte ky fenomen këtu. Tashmë infermieri Uka, nga fshati Shën Mëri i Kukësit, por rezident prej vitesh në Shkozet të Durrësit, do të përballet me drejtësinë me të njëjtën akuzë që iu formulua klientit të tij Axhenti. Materialet për veprën penale “Prodhim e shitje lëndësh narkotike” parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. Ndërkohë hetuesit e antidrogës kanë ngritur edhe dyshimin se mos infermieri ishte pjesë e grupit të Axhentit, i cili u godit në shkurt të vitit të kaluar në plazhin e Durrësit. Falë atij operacioni u sekuestruan 16 muaj më parë 580 gramë kanabis dhe veç Axhentit u arrestuan edhe dy minorenë, të cilësuar nga drejtësia si bashkëfajtorë. Pritet që hetimet të zbardhin dhe periudhën prej së cilës ndihmësmjeku furnizonte me lëndë narkotike të paraburgosurin.