E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Durrës, pasojë e burokracisë që ka në shtet

Emisioni investigativ "Fiks Fare" në "Top Channel" transmetoi dje një material që hedh dritë mbi konfliktin mes pronarit të hotelit "Drenica", Gani Kapiti me fqinjin e tij në biznes, viktimën Agron Bodlli. Kapiti ishte ankuar te "Fiks Fare" në fillim të muajit maj. Ai kishte treguar se ngjitur me lokalin e tij kishte filluar të ndërtohej një objekt dhe se për këtë shkak, hoteli i tij kishte filluar të çahej. Kapiti tregoi se përveç mureve, hotelit po i plasaritej edhe dyshemeja, për shkak të gropës së hapur fare pranë në terrenin ranor. Për këtë problem, Gani Kapiti kishte bërë ankesa në të gjitha institucionet e mundshme. Në Bashkinë e Durrësit i kishin thënë se nuk mund të ndërhynin, pasi objekti që po ndërtohej pranë hotelit të tij kishte leje nga Këshilli i Rregullimit të Territorit. Kapiti u kishte dërguar pas kësaj letra edhe Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Këtij të fundit, madje i shkruante se mosndërhyrja në kohë mund të ketë pasoja tragjike, por asgjë nuk kishte ndryshuar. Pas shumë përpjekjeve të pronarit të hotelit "Drenica", inspektorati ndërtimor i Durrësit kishte marrë më në fund një masë pezullimi dhjetëditore të punimeve dhe kishte gjobitur firmën që po ndërtonte. Më pas ky inspektorat kishte marrë një masë pezullimi 60-ditore, por ende nuk ishte gjetur zgjidhja, sepse plasaritjet në hotel sa vinin e zmadhoheshin, pasi gropa e ndërtimit ngjitur ishte ende e hapur. Në këto rrethana përplasjet mes Kapitit dhe Bodllës sa vinin e acaroheshin derisa të martën, ashtu siç i kishte shkruar Kryeministrit, ngjarja pati pasoja tragjike. Agron Bodlli u vra nga Gani Kapiti, ndërsa vetë ky i fundit e humbi durimin për shkak të burokracisë shtetërore që po e zvarriste zbardhjen e çështjes dhe po bënte që gjithë mundi i jetës së tij t‘i shembej përpara syve.

Policia

Ndërkohë, policia e Durrësit është vënë në kërkim të autorit të vrasjes, Gani Kapiti. Pas mbërritjes në vendngjarje, uniformat blu kanë inspektuar gjithë zonën dhe gjatë kontrollit kanë mundur të gjejnë armën me të cilën është ekzekutuar 39-vjeçari Agron Bodlli. Arma e gjahut është gjetur e hedhur në një kanal me ujë, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes. Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen që ndodhi të martën në Durrës ka rënë në pranga për fshehjen e armës së krimit Shpend Turku, 42 vjeç nga Shkozeti i Durrësit. Mësohet se ky shtetas është me precedentë të mëparshëm penalë, pasi ka qenë dënuar për dëmtim prone. Sipas hetimeve të policisë, Turku rezulton se i ka dhënë përkrahje autorit të krimit, shtetasit Gani Kapiti, duke marrë armën e vrasjes dhe fshehur atë në një kanal me ujë, disa kilometra larg vendngjarjes. Përveç veprës penale të përkrahjes së autorit të një krimi, ndaj Turkut është ngritur edhe akuza e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë, ndërkohë që çiftja është bllokuar nga uniformat blu në cilësinë e provës materiale.

Dje janë bërë të ditura detaje mbi konfliktin që çoi në vrasjen e 39-vjeçarit Bodlli, ndërkohë që në Durrës ka edhe shumë familje të tjera që kanë të njëjtën natyrë konflikti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›